Apeli i Krimeve të Rënda, flasin gjyqtarët: Çfarë duam të ndryshojë
Tiranë, 9 Shkurt NOA - Gjyqtarët e Apelit për
Krime të Rënda i kanë propozuar sot ndryshime Ministrisë së Drejtësisë dhe
KLD-së në mënyrë të tillë që të kenë siguri në punë dhe që ajo të funksionojë
sa më mirë.
Gjatë analizës njëvjeçare të punës së tyre,
kryetari i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Gjovalin Përnoca ka kërkuar
fillimisht sigurimin e jetës fizike, të pronës dhe të familjeve të tyre.
Sipas
tij duhet të përmirësohet statusi i gjyqtarëve në përgjithësi dhe për krimet e
rënda në veçanti, kryesisht për pagat, pensionet, kredi me kushte lehtësuese,
garanci shëndetësore, etj., të ngjashme me kategori të tjera me status më të
mirë, si dhe të dalin aktet nënligjore për sigurinë fizike të gjyqtareve si dhe
të familjeve të tyre, pronës etj.
Të ndryshojë kompetenca e gjykimit të Gjykatës
për Krime të Rënda (neni 75 i K.Pr.P.), duke u vendosur përsëri ato lloj
veprash penale që ishin parashikuar që në krijimin e tyre dhe çdo vepër penale
që parashikon dënim me burgim jo me pak se 15 vjet, pasi ato vërtetë përbëjnë
krime të rënda, janë problematike për shoqërinë tonë, si dhe janë të përballueshme
nga ana sasiore e cilësore nga këto gjykata.
Të ndryshojë përbërja e trupit gjykues të
Gjykatave për krime të rënda nga pesë në tre gjyqtarë. Të hiqet nga ligji ynë
organik përcaktimi i mandatit 9-vjeçar, gjë që nuk është mbrojtje në aspektin e
patundshmërisë, por rrezikon që në përfundim të mandatit gjyqtarët të
diskutohen për të vazhduar punë në gjykata të tjera edhe jashtë rrethit, gjë që
nuk përbën garanci e vlerësim për detyrën që përballojmë., theksoi sot Përnoca.
Ndërkohë që kryetari i gjykatës së Apelit për Krime të Rënda ka sqaruar se
probleme janë paraqitur edhe me buxhetin e kësaj gjykate, ku problemet janë
ndjerë edhe në mungesën e bojës që është thelbësore për punën, rregullimin e
automjeteve si dhe shpërblimet e gjyqtarëve.
Ndërkohë që po sot është zhvilluar edhe
analiza vjetore në Gjykatën e Shkallës së Parë për krime të Rënda. Në këtë
gjykatë ishte prezent edhe zëvendëskryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu, si dhe
kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Olsion Çela.
Kreu i kësaj gjykate, Dritan Hallunaj kërkoi
nga KLD-ja dhe Ministria e Drejtësisë plotësimin më tej të kuadrit të plotë
ligjor për Luftën Kundër Krimit të Organizuar, rishikimin e Kodit Penal për
disa figura të veprave penale në kompetencë të Gjykatës për Krime të Rënda,
rishikimin e K.Pr.Penale dhe sidomos të raporteve gjykatë-palë, të disa afateve
prekluzive dhe të afateve të paraburgimit për të pandehurit që akuzohen për
krime të rënda.
Po ashtu gjyqtarët kërkuan edhe përfitim nga
statusi i veçantë i gjyqtarit të Gjykatës për Krime të Rënda, për mbrojtjen dhe
shoqërimin fizik, si dhe rimandatimin pas kalimit të afatit 9-vjeçar të gjyqtarëve.
e.r/NOA