E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Vota në 11 maj përtej bindjeve politike, votë për mbylljen e negociatave me BE-në

TIRANË, 11 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot rëndësinë e zgjedhjeve të 11 majit për ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa theksoi se çdo shqiptar duhet të votojë përtej bindjeve partiake për të mos humbur asnjë sekondë në procesin e negociatave.

Gjatë një komunikimi live në rubrikën “Sy m’sy”, Rama theksoi se është shumë e rëndësishme për çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike dhe preferencave partiake që të ketë parasysh që në 11 maj Shqipëria është më shumë se kurrë përtej majtas dhe djathtas.

“Në 11 maj Shqipëria është përtej partive politike, fanellave të skuadrave partiake, sepse në 11 maj çdo shqiptar që ka një votë në dispozicion, jo vetëm do të shkojë të votojë në Shqipëri dhe diasporë por do të votojë për të mos humbur asnjë sekondë në procesin e negociatave”, tha Rama.

Vota e 11 majit, sipas tij, duhet të jetë për të mos krijuar asnjë lloj hezitimi që në Shqipëri ka mjegull dhe nuk ka një shumicë të fortë solide dhe të gatshme në të gjitha kapacitetet për të vazhduar negociatat.

“Është hera e parë në historinë e këtij procesi kur fjalët janë të përputhura me vullnetin pozitiv konkret për përfshirjen përfundimtare të Shqipërisë në BE. Hera e parë ku fjalitë standarde ‘ju duam në BE, perspektiva juaj është të jeni pjesë e BE-së’ janë të përputhura me vullnetin politik të BE-së që përkon me vullnetin tonë të kahershëm të jemi pjesë e BE-së”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se është hapur një dritare mundësie dhe për herë të parë vota është edhe me peshë të rëndësishme gjeopolitike në funksion të pozicionit të Shqipërisë.

“Aq më tepër në një botë që po lëkundet në aspektin e sigurisë, në një atmosferë ku të gjithë flasin për kërcënime dhe rreziqe nga më të ndryshmet na duhet unitet, bashkim përtej partive, lidership, qëndrueshmëri. Të gjitha të tjerat janë dokrra hini në krahasim me këtë moment ekzistencial për Europën e Shqipërinë. Kjo dritare e hapur mundësie për t’u bashkuar përfundimisht me familjen europiane mund të mbyllet. Ky është momenti ndaj kemi edhe një kalendar, më ambiciozin në historinë e integrimit”, shtoi Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›