Rama: Skuadra e 11 majit, harmonizim i eksperiencës me energjinë pozitive të më të rinjve

TIRANË, 11 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, u shpreh sot gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në platformat sociale, se në zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste ndoshta nuk do të ketë një skuadër perfekte, por do të ketë skuadër shumë të mirë. Sipas kryeministrit, skuadra e kësaj force politike në zgjedhjet e 11 majit do të jetë më e vjetra për nga eksperienca dhe më e reja për nga energjia.
“Një skuadër perfekte nuk ekziston. Edhe Real Madridi i Galaktikos nuk ishte dot perfekt, por një skuadër shumë të mirë patjetër do ta kemi. Do të kemi një skuadër të ripërtërirë ku do të harmonizohet eksperienca e domosdoshme dhe energjia pozitive e më të rinjve, do të kemi një skuadër që do të garantojë vazhdimësinë e një procesi historik siç është integrimi në BE, një skuadër që do të ketë të gjithë dijen e nevojshme të brendshme se për çfarë bëhet fjalë, se të tjerët që flasin nga jashtë nuk e dinë se për çfarë bëhet fjalë, por dhe një skuadër që do të na garantojë një përfaqësim shumë më të lidhur me ekzigjencat e kohës dhe shoqërisë sot”, tha Rama.
“Do të kemi një skuadër që do të jetë skuadra më e vjetër në eksperiencë dhe më e reja në energji. Duke votuar PS, ata që duan risi, diçka të re, të rinj dhe të reja do të kenë më shumë të rinj dhe të reja se sa duke votuar për ca subjekte që thonë ne jemi e reja, që s’dinë çfarë flasin dhe alternativë kanë të më shajnë mua dhe të më ulin e të më ngrenë me të gjithë librin e epiteteve të mundshme për të shfrytëzuar një shpirt proteste, por duke i votuar ata që të re kanë vetëm moshën e drejtuesve të tyre në rastin më të mirë do të çonim në parlament një njeri, ja po të jap tre që të jem shumë bujar. Duke votuar PS do të çoni dhjetëra të reja dhe të rinj që janë për herë të parë në Parlament”, vijoi Kryeministri Rama.
Kryeministri theksoi në përgjigjet e tij, se tashmë është ndarë vija parimore e detyrave në skuadrën e 11 majit për PS-në.
“Kush ka qoftë edhe një mandat, do të jetë në fushën e betejës për të marrë vota për vete dhe PS, burrat nuk diskutohet, por edhe gratë dhe vajzat me ndonjë rast të veçantë do të vlejë ky parim. Ndërkohë, në listën e mbyllur një pjesë e madhe do të jenë njerëz që hyjnë për herë të parë në Parlament, pa ngarkesa, që vijnë nga kontribute të caktuara në shoqëri dhe fusha të ndryshme”, theksoi Rama.
Një tjetër komentues i uron fitore Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit.
“Larg qoftë për fëmijët tanë, marrëdhëniet me BE-në, mos harroni që BE nuk i sheh dot fare me sy ca tipa dhe deri kur ne të hyjmë atje ka shumë rëndësi kush qeveris këtu. Kur të hyjmë atje pastaj, ka shumë më pak rëndësi për ata për gjërat bazike, për liritë individuale, për standardet, për barazinë para ligjit. Se ato nuk i lëviz dhe nuk i prek dot më njeri!”, u shpreh Rama.
“Fitore për çfarë? Për të shkrirë SPAK-un, për të kthyer përmbys atë që mezi ka nisur si një luftë emancipuese, modernizuese, transformuese kundër korrupsionit”, shtoi Rama.
“Po çfarë do fitosh ti? Ky nuk është futboll që të thuash fitore e Egnatias kundër Partizanit, ose anasjelltas. Çfarë do fitosh ti?”, thotë Rama.
Kryeministri u shpreh se nuk del në bashkëbisedim me qytetarët për të zgjidhur hallet, por për të ndarë informacione dhe problematika të caktuara të qeverisjes.
“Nuk jemi për të thënë që shkruani këtu live që t’ju zgjidh unë hallet, unë nuk jam doktor popullor që mund të jap receta si mund të kurohet një dhimbje këtu apo atje me televizor, por këtu jemi për t’ju informuar unë, për t’ju dhënë unë një qasje në problematikat, në zhvillimet në dinamikat e qeverisje dhe në raportet tona me të tjerët që janë shumë të rëndësishme sot, patjetër për sfidat dhe problematikat konkrete direkte”, u shpreh Rama.
“Si asnjëherë më parë, në Shqipëri sot ka një lidhje direkte me qeverinë përmes platformës Shqipëriaqëduam.al ku problemet shtrohen, trajtohen dhe zgjidhen ato që janë të zgjidhshme. Se ka shumë të tjera që nuk janë çështje të qeverisë, të pushtetit ekzekutiv, janë çështje të gjyqësorit që është i pavarur. Nëse ka një konflikt prone nuk e zgjidh qeveria, e zgjidh gjykata”, tha Kryeministri. /j.p/