E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Vuçiç dhe Kurti nuk e duan Asociacionin, SHBA është acaruar maksimalisht me qeverinë e Kosovës

Kryeministri Rama, gjatë konferencës për shtyp, bëri të ditur se SHBA-ja është në acarimin maksimal me qeverinë e Kosovës dhe se deklaratat e Kurtit kundër tij nuk ndikojnë aspak. Rama ka qenë edhe më i drejtëpërdrejtë kur deklaroi se 2 personazhe nuk e duan asosacionin dhe ata janë Vuçiç dhe Kurti.

“Deklaratat e Kurtit ndaj meje kanë 0 efekt. Secili thotë atë që mendon. Si unë, si Kurti bëjmë të njëjtën gjë. S‘kemi gjëra të panjohura në këtë rast. Ka 2 njerëz të painteresuar për asocacionin dhe ata janë bashkë, që asocacioni të mos krijohet. Si Vuçiç, si Kurti nuk janë të interesuar për asocacionin se u duhet armiku i jashtëm. Vuçiç e di që nuk hyn dot 1 metër në kufirin me Kosovën. Nuk i çon të mbrojë serbët në Kosovë, por për nacionalizmin serb në Beograd. Këngë mitingu pa asnjë lidhje. Serbia e ka humbur luftën në 99 në mënyrë pa kthim. Ajo s‘është më kërcënim për Kosovën, jo se është Albini, por se është Amerika. Asocacioni mbyll mundësinë për të vazhduar lufta. Nuk perekem nga ato që thotë Kurti.“- theksoi Rama.  

Sipas tij, Kosova po kërcënohet nga arsyeja e mosarsyes, si dhe një gjykim i gabuar strategjik që nuk e kupton askush. Rama nënvizoi se askush s’e kupton cili është interesi i Kosovës që po hyn në një kurs përplasje dramatike me bashkësinë euro- atlantike.

“Nuk më takon mua të bëj komente mbi sanksionet. Jam i tmerruar nga ideja se mund të ndodhin. Nuk janë masa që kjo bashkësi merr ndaj vendeve jodashamirëse ndaj saj. Ajo po detyrohet të marr masa ndaj një shteti që i ka krijuar vetë problemet. Edhe sikur të jenë të përkohshme, uroj të mos vihen, efekti destabilizues mes bashkisë euro- atlantike dhe Kosovës nuk do të jenë më aq të përkohshme. Do të ketë kushtëzime hap pas hapi jo vetëm ndaj Kurtit, por edhe ndaj të tjerëve që vijnë më pas.”- theksoi Rama.  

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›