E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ura mbi lumin Buna/Bojana, ratifikohet zyrtarisht marrëveshja Rama- Abazović, skema e financimit

Është ratifikuar tashmë marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, për ndërtimin e urës ndërkufitare mbi lumin Buna/Bojana.

Marrëveshja, e publikuar të martën, dhe që e sjell të plotë rtsh.al, mban firmën e kryeministrit Edi Rama dhe atij malazez Dritan Abazović.

Ndërtimi, sipas marrëveshjes, ka si qëllim forcimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve, duke marrë parasysh Planin Ekonomik dhe Investues të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe përpjekjet e palëve për të forcuar marrëdhëniet reciproke.

“Marrëveshja në përputhje dhe në zbatim të Deklaratës së Përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë (QSH) dhe Qeverisë së Malit të Zi (QM) të nënshkruar në tetor 2018; në përpjekje për të arritur një zhvillim të integruar dhe të qëndrueshëm, një ekonomi më konkurruese dhe përmirësimin e cilësisë së jetës të qytetarëve shqiptarë dhe malazezë.”- thuhet në document.

Qëllimet dhe objektivat

Kjo Marrëveshje përcakton bazën e bashkëpunimit ndërmjet Palëve, në lidhje me Projektin, si dhe kushtet dhe procedurat për ndërtimin e Urës mbi lumin Buna/Bojana që do të përcaktohen në Protokollin Shtesë të Zbatimit dhe në varësi të burimeve të financimit.

Objektivi i përgjithshëm i Projektit është ndërtimi i Urës që përmirëson lidhjet ndërkufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke krijuar kushte për shfrytëzimin maksimal të potencialeve natyrore dhe kulturore, si dhe forcimin e zhvillimit ekonomik dhe social në rajon.

Objektivat specifikë

Bazuar në dokumentin, i cili tashmë ka marrë edhe formë zyrtare, dhe që publikohet nga rtsh.al,  objektivat specifikë janë:

a) promovimi i zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në rajon nëpërmjet ndërhyrjeve në infrastrukturë që mundësojnë lidhjen ndërkufitare midis dy shteteve;

b) rritja e konkurrencës në drejtim të ofertës së përbashkët turistike ndërkufitare, duke përmirësuar zhvillimin ekonomik dhe social në rajon;

c) zhvillimi i produkteve të ndryshme dhe të përbashkëta turistike bazuar në pasuritë natyrore, vlerat kulturore dhe historike të dy zonave;

d) krijimi i një sinergjie midis dy shteteve.

Palët parashikohet se do të lidhin një marrëveshje të veçantë mbi ngritjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar për qëllime të kontrollit kufitar.

Rolet dhe përgjegjësitë e palëve

Sipas marrëveshjes, palët bien dakord të marrin të gjitha masat e nevojshme për të mundësuar që ndërtimi i Urës të përfundojë brenda kohës së përcaktuar në Protokollin Zbatues, me qëllim përgatitjen për të lidhur seksionet kufitare me automjetet rrugore dhe hapjen e pikave të kalimit kufitar, gjatë kohës së ndërtimit të Urës.

“Palët bien dakord të angazhohen për të shpejtuar dhe lehtësuar procedurat për miratimin e lejeve përkatëse dhe përmbushjen e detyrimeve sociale dhe mjedisore, si dhe vënien në dispozicion të tokës/kantierit, sipas nevojës për ndërtimin e urës, sipas projektit të projektit, në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi të të dyja palëve. Palët bien dakord që Agjencia Zbatuese për ndërtimin e Urës do të përgatitë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për prokurimin dhe mbikëqyrjen e punimeve, duke i dërguar për miratim Agjencisë së Monitorimit të Kundërpalëve, përfshirë miratimet e tjera të nevojshme gjatë ciklit të kohëzgjatjes së projektit”- thuhet në dokument.

Financimi

“Thembra e Akilit” që ka të bëjë me financimin e ndërtimit të urës, duket se është skicuar qartazi mes të dy vendeve. Hartimi i projektit është përgatitur me burimet financiare të palës shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH).

Përpara procedurës së prokurimit për zbatim, pala malazeze do të japë pëlqimin për dizajnin ekzistues të projektit. Dizajni i Detajuar i Projektit do të jetë në dispozicion të Agjencisë Zbatuese.

Palët bien dakord të bashkëfinancojnë ndërtimin e Urës në masën 50% nga secila palë, duke përfshirë kostot totale të ndërtimit, mbikëqyrjes dhe shërbimeve të tjera që lidhen me realizimin e projektit.

Agjencia Zbatuese do të kryejë rishikimin e dizajnit të projektit, do të ndjekë procedurat e prokurimit, do të marrë të gjitha lejet e nevojshme për hartimin dhe zbatimin e projektit, ndërtimin, mbikëqyrjen, certifikimin e punimeve, dorëzimin.

Agjencia e Monitorimit të Kundërpalës konfirmon çdo fazë të zbatimit të projektit, ndryshimit, modifikimit, përshtatjes, raportimit, pagesës së punimeve dhe shërbimeve.

“Shpenzimet që lidhen me dhënien e lejeve të nevojshme, shpronësimin, tarifat e tjera administrative, kostot operative dhe shpenzimet e tjera të nevojshme do të mbulohen përkatësisht nga secila Palë nëpërmjet autoriteteve kompetente përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi në të dyja vendet. Agjencia Zbatuese do të hapë një llogari të dedikuar për Projektin në monedhën euro për të kryer të gjitha pagesat, në lidhje me zbatimin e këtij Projekti.”- thuhet në marrëveshje.

Prokurimi

Në dokument nënvizohet se palët që kanë rënë dakord që për ndërtimin e Urës do të shpallin një tender publik ndërkombëtar, i cili do të kryhet, në varësi të mënyrës së financimit, në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi të palës ku ndodhet Agjencia Zbatuese.

Shqipëria dhe Mali i Zi kanë kanë rënë dakord të bëjnë përpjekje për të thjeshtuar procedurat, lidhur me trajtimin tatimor dhe doganor për ndërtimin e urës.

Zgjidhja e mosmarrëveshjes

Çdo mosmarrëveshje mbi interpretimin ose zbatimin e kësaj Marrëveshjeje do të zgjidhet me konsultim dhe marrëveshje ndërmjet Palëve dhe më pas do të zgjidhet nëpërmjet rrugëve diplomatike.

/rtsh.al/ a.meta/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›