E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama afron partitë me 0.5% elektorat

19/01/2012  Hartimi i programit të ri dhe i reformës zgjedhore, kreu socialist takime me aleatët

Synimi: program të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të 2012

Unifikimi i një qëndrimi të përbashkët për reformën zgjedhore ishte kryeçështja e takimit mes kreut të Partisë Socialiste dhe drejtuesve të partive të vogla mbështetëse të kësaj partie. Bashkërendimi i një programit të përbashkët opozitar përbënte një tjetër çështje të diskutimeve në këtë tryezë.

Takimi

Lidershipi socialist ka vijuar axhendën e takimeve në funksion të zgjedhjeve të ardhshme dhe të programit me të cilin do të shfaqet ky kamp në këto zgjedhje. Në funksion të këtij qëllimi kreu i PS-së, Edi Rama, thirri në një takim të posaçëm aleatët e tij, të cilët patën rezultat të ulëta në zgjedhjet e shkuara. Ky takim kishte si synim afrimin pranë një qëndrimi të përbashkët dhe partitë që patën një përfaqësim prej 0.5% në elektorat. Mësohet se gjatë bisedës është diskutuar për përfshirjen e tyre në garën e ardhshme elektorale dhe përfaqësimin e tyre brenda koalicionit të majtë. Ndërkohë edhe gjatë ditës së sotme Rama së bashku me sekretarin për koalicionin, Ndre Legisin, dhe atë për çështjet zgjedhore, Damian Gjiknuri, do të presë në një takim të posaçëm drejtuesit e partive të tjera aleate, të cilët kanë kërkuar korrektim të sistemit elektoral për të qenë më të përfaqësuar në zgjedhjet parlamentare të 2013.

Deklarata

Në përfundim të takimit kreu i “G-99”, Ervin Mete, bëri me dije lidhur me diskutimet në tryezë. “Nuk ishte takim ngushtësisht vetëm për çështjen e reformës zgjedhore. Ishte një takim me partitë aleate për të konsoliduar më tej bashkëpunimin, për të diskutuar për strategjinë për zgjedhjet e ardhshme. Ndër të tjera u diskutua edhe reforma zgjedhore, ku u shpreh edhe një herë mbështetja e Partisë Socialiste për ta trajtuar reformën zgjedhore në një formë që u shërben edhe partive të koalicionit”, - vuri në dukje Mete lidhur me këtë takim. Po në këtë linjë, ai shtoi se “u diskutua për një konsolidim të bashkëpunimit dhe të koordinimit qoftë në aspektin organizativ, qoftë për sa i përket programit, në mënyrë që të dilet me një program të përbashkët opozitar”. Madje, duke synuar sqarimin e mëtejshëm të këtij qëndrimi, kreu i “G-99” nënvizoi se “për konsolidimin e qëndrimit për sa i përket organizmit për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa sa i takon reformës zgjedhore ajo që mund të thuhet është se Partia Socialiste mbron një formulë që nuk godet partitë e vogla”.

Qëndrimi

Qëndrim të përbashkët të opozitës sa i takon koordinimit e organizimit të punës për zgjedhjet e ardhshme dhe hartimi i një programi të përbashkët opozitar - me këtë përfundim është mbyllur tryeza e kryetarit të PS Edi Rama me kryetarët e partive të vogla të koalicionit opozitar. Një fakt i tillë u bë i ditur përmes një njoftimi për shtyp të vënë në dispozicion të medies nga zyra e informacionit pranë PS-së.

Tryeza

Gjatë ditës së sotme pritet që lidershipi socialist të vijojë takimet e tij me parti të tjera aleate. Kështu, nisur nga qëndrimet e ardhura nga partitë që janë pjesë e Opozitës së Bashkuar, të cilat insistojnë në ndryshimin e sistemit zgjedhor, kreu i PS-së ka thirrur në një takim të posaçëm krerët e këtyre partive, me qëllim rakordimin e propozimeve për një çështje të tillë e më pas paraqitjen e tyre kampit mazhoritar.

Vizita e McIlwham

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, priti në takim ambasadoren e Britanisë së Madhe Fiona McIlwham. Rama e informoi për përpjekjet dhe sfidat me të cilat ndeshet Partia Socialiste për realizimin në kohë dhe me cilësi të reformës zgjedhore, asaj parlamentare dhe të sistemit të drejtësisë në përgjithësi. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim lidhur me hetimin e paanshëm të ngjarjes tragjike të 21 janarit të vitit të kaluar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›