E Diel, 1 Nëntor 2026

PR dhe PDIU: Reforma nuk ndryshon sistemin e pandershëm zgjedhor

"Marrëveshja nuk është reformë, por është një paketë që garanton marrëdhëniet PD-PS. Konsensusi për reformën zgjedhore është arritur vetëm mes dy partive të mëdha dhe reforma nuk siguron përfaqësimin e drejtë të votës së shqiptarëve", thuhet në deklaratën e PR-së, pjesë e koalicionit të djathtë qeverisës.
    
Ndërsa në deklaratën e PDIU-së thuhet se "mënyra si kjo reformë u zhvillua nuk është në interes të konsolidimit të demokracisë, por në interesin e ngushtë të pak aktorëve protagonistë të politikës shqiptare. Ajo nuk ndryshoi sistemin e pandershëm zgjedhor që kufizon konkurrencën politike dhe e vështirëson futjen e aktorëve të rinj në garën politike, duke bllokuar qarkullimin e elitave në vend".
     
Pas arritjes së konsensusit mes partive të mëdha për çështjet e mbetura pezull, komisioni i posaçëm parlamentar arriti dy ditë më parë të mbyllë reformën zgjedhore, një nga prioritetet kyçe të vendosura nga BE për marrjen e statusit të vendit kandidat.
     
Por kompromisi PD-PS ka ngjallur pakënaqësinë e partive të vogla, të cilat e kanë konsideruar marrëveshjen një komplot kundër partive të vogla në zgjedhjet e 2013-s./Start/

                                                                                             2012-07-13 15:30
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›