Shumi-Mercedes, tashmë është zyrtare
Lajmin e ka konfirmuar vetë skuderia me anë të një konference për shtyp. Gjermani ka firmosur një kontratë një vjeçare dhe do të përfitojë shtatë milion euro. Vetë Shumaker ka bërë të ditur se i ka lënë pas problemet në qafë dhe është në formë të shkëlqyer.“Pas tre vitesh ndërprerjeje, kam përsëri energji dhe ndihem gati për diçka të rëndësishme. Do të luftoj për titullin kampion”. Këto janë fjalët e para të tij menjëherë pas firmosjes së marrëveshjes. 41-vjeçari do të gjejë tek Mercedesi Ros Braun, me të cilin ka fituar pesë tituj në kohën kur ishte tek Ferrari.Megjithatë, piloti gjerman pranon se tek “Kokëkuqja” ka kaluar vitet më të bukura të karrierës së tij dhe falenderon presidentin Luka di Montezemolo për mirëkuptimin që tregoi në zgjidhjen e kontratës. “Do të kem gjithnjë me vete një pjesë nga Ferrari. Dua t’i falenderoj të gjithë për mbështetjen”, tha Mikael Shumaker.Për të garuar sërish në Formula 1, ai duhet të rinovojë patentën, e cila, sipas rregullit, skadon një vit pas garës së fundit. Niko Rosberg do të jetë shoku i skuadrës tek Mercedesi dhe Shumi do të debutojë me skuderinë gjermane më 14 mars në garën e Bahreinit.