E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama anulon tryezën me aleatët

Krerët e partive opozitare deri dje në darkë nuk kanë marrë asnjë njoftim nga selia rozë se në ç’orë do të jetë takimi i parashikuar për t’u zhvilluar sot, si një tryezë që do të ribashkonte opozitën pas një periudhe moskomunikimi. Siç bëjnë të ditur burime nga disa parti aleate me PS-në, nuk ka pasur asnjë informacion zyrtar nëse ky takim do të zhvillohet ashtu siç ishte lënë të hënën, ndërkohë që në rrugë jozyrtare atyre u është thënë se tryeza mund të shtyhet. Ndërsa selia rozë jep një tjetër version për anulimin e këtij takimi që ka të bëjë, sipas saj, me arsye krejtësisht jopolitike, pasi jo të gjithë aleatët kanë mundësi të jenë fizikisht nesër në Tiranë. Kështu, sipas PS-së tryeza mund të shtyhet për shkak të mungesës së ndonjë aleati, duke shmangur kështu një takim që ishte trumbetuar si i një rëndësie të veçantë për opozitën në këtë moment. Iniciativa e hedhur nga Edi Rama vetëm para dy ditësh në media për të krijuar një front të përbashkët ka mbetur vetëm në një deklaratë pa mundur të formësohej. Nga ana tjetër burime pranë aleatëve të Ramës e shohin këtë tërheqje të Ramës nga kjo tryezë si një taktikë për të fituar kohë deri në momentin që ai të ketë konsumuar më parë një bisedë me kreun e shtetit, Bamir Topi, në pritje të një takimi të organizuar nga ai me Kryeministrin Sali Berisha. Padurimin e PS-së për uljen në tryezën e bisedimeve e shfaqi përsëri dje deputetja e kësaj partie, Olta Xhaçka, e cila tha: “Ne rikërkojmë sot tryezën e kryetarit të shtetit, Presidentit të vendit, duke theksuar se zvarritja e dialogut nga Sali Berisha nuk e ul dot ritmin e përgatitjeve tona për protestën e madhe të Frontit Opozitar, deri në largimin e qeverisë. Kërkojmë dialog për zgjidhje ose do të vijojmë me protesta për zgjedhje”.
Ndërkohë që shpreson të ulet në këtë tryezë dhe të arrijë një marrëveshje që do t’i japë fund bojkotit, Rama luan në anën tjetër fort, duke thënë se do të mobilizojë aleatët në protesta popullore kundër qeverisë. Madje ai nisi dhe disa konsulta kokë më kokë me disa aleatë për të marrë “këshilla” se si të sillet në këtë situatë politike, ku ai do të gjendet në një tryezë negocimi me kundërshtarin politik. Shtyrja e tryezës ka lënë një shije të hidhur tek aleatët e PS-së, të gjitha parti joparlamentare për hir të së vërtetës, që duket se janë më shumë për një aksion radikal opozitar sesa për një marrëveshje që do të kthente PS-në në Kuvend dhe do të ulte kësisoj rolin e tyre në qëndrimet e opozitës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›