Tryeza politike, Topi i nis konsultat me ndërkombëtarët
Kjo javë do të nisë me një axhendë takimesh nga ana e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili pritet të bëjë gati tryezën për të zgjidhur situatën politike. Mësohet se sot, kreu i shtetit do të nisë takime të veçanta, të cilat do të nisin fillimisht me ndërkombëtarët. Burime pranë zyrës së Presidentit bëjnë me dije se sot Presidenti do të kryejë gjatë paradites një takim me ambasadorin spanjoll, Manuel Montobio, dhe kreun e Delegacionit të Komisionit Evropian, Helmuth Lohan. Takimi, i cili pritet të kryhet rreth orës 10 ose 11, do të ketë në qendër të tij hapat konkretë për të zgjidhur ngërçin politik. Presidenti do të konsultohet me ambasadorët e më pas do të nisë takimet me krerët e politikës shqiptare. Në axhendën e Topit janë edhe takimet me Berishën e Ramën, të cilat do të kryhen më vete. Qëllimi i këtyre takimeve të veçanta do të jetë, krahas gjetjes së një date të përshtatshme për tryezën, edhe të një axhende konkrete pikash për zgjidhje. Mësohet se sot diplomatët dhe kreu i shtetit do të diskutojnë protokollin dhe përmbajtjen e takimit, ku do të negociohet marrëveshja. Lohan dhe Montobio prej disa kohësh po luajnë rolin e negociuesve për t’i dhënë fund klimës politike konfiktuale, si kushti kryesor i Brukselit për integrim. Ambasadorët kanë kryer takime të shpeshta me autoritetet shqiptare dhe vetëm në një periudhë të shkurtër ata janë takuar 3 herë me Topin. Nga ana tjetër edhe partitë e mëdha kanë nisur punën për përcaktimin e modaliteteve për tryezën. Mësohet se një pjesë e mirë e këtyre kontakteve do të jenë joformale për të siguruar suksesin e takimit final. Kreu i qeverisë, Berisha, dhe kreu i PS-së, Rama, kanë rënë dakord parimisht për t’u ulur në një tryezë, por në deklaratat politike, askush nuk lëshon pe. Kreu i PS-së ka vënë kusht hapjen e kutive të votimit, ndërsa mazhoranca ka kërkuar respektimin e vendimit të gjykatave dhe Kushtetutës.
Në reagimin zyrtar të zyrës së Presidentit pak ditë më parë thuhet: “Në kontekstin e ri politik, Presidenti i Republikës do të vijojë në ditët në vazhdim kontaktet paraprake të punës me Kryeministrin e Shqipërisë dhe udhëheqësin e opozitës si dhe me bashkësinë ndërkombëtare për të përgatitur termat e bisedimeve që do të zhvillohen gjatë tryezës së përbashkët”.