Rusmali: Rezoluta e KiE-së nuk përligj bojkotin e protestat
Kryetar i delegacionit të Parlamentit shqiptar në Këshillin e Evropës, Ilir Rusmali, deklaroi dje se kreu i PS-së, Edi Rama, po shtrembëron qëllimisht mesazhet e rezolutës së KiE-së. Sipas Rusmalit, Rama me anë të kërcënimeve po tenton të përligjë bojkotin, duke u mbështetur te rezoluta e KiE-së, por që sipas deputetit të PD-së, kjo përbën një keqinterpretim të mesazhit të Këshillit të Evropës. “Në daljen e tij të përditshme të ditëve të fundit, kryetari i Partisë Socialiste, Rama, është përpjekur të bëjë një lidhje, një binjakëzim midis nevojës për dialog politik dhe kërcënimit për protesta. Ky binjakëzim, kjo lidhje e dialogut me kërcënimin për protesta është e papranueshme nga këndvështrimi i rezolutës së Asamblesë së KE-së. Dhe unë si kryetar i delegacionit të Parlamentit shqiptar në këtë Asamble, kam dalë përpara jush të konfirmoj pikërisht këtë fakt, faktin që kryetari i Partisë Socialiste me një interpretim të mbrapshtë, me vullnet të sëmurë, po shtrembëron mesazhin që na vjen nga Asambleja Parlamentare e KE-së; ai po përpiqet përditë me kërcënim dhe me keqinterpretim të përligjë bojkotin, si i mbështetur në rezolutën e Këshillit të Evropës”, - tha Rusmali. Ai tha më tej se në rezolutë, në asnjë fjalë të saj nuk mbetet protesta apo bojkoti, madje në të kundërt bën thirrje që opozita të kthehet menjëherë në Kuvend. “Edhe në këtë pikë Asambleja i kërkon zotit Rama dhe Partisë Socialiste, i kërkon me forcë opozitës të rikthehet në Parlament dhe të marrë pjesë në punimet e veta. Asambleja Parlamentare e KE-së në rezolutën e saj, në asnjë rrethanë, në asnjë rresht, në asnjë fjalë të saj nuk bën lidhje mes dialogut politik me kërcënimin për protesta. Në asnjë rresht të saj në asnjë fjalë të saj, nuk ka mbështetur dhe nuk justifikon protestën”, - shtoi Rusmali. Duke qëndruar në këtë pikë, Ilir Rusmali tha se qëllimi i negociatave është rivendosja e dialogut politik për t’i dhënë fund bojkotit dhe jo për të nxitur qëndrimin larg Kuvendit. “Dhe jo vetëm kaq, por Asambleja Parlamentare në rezolutën e saj thotë se negociatat nëpërmjet Presidentit të Republikës duhet të synojnë rivendosjen e dialogut politik, por edhe t’i japë fund bojkotit të PS-së. Në ç’kushte, në ç’rrethana, mbi ç’bazë? Jo mbi bazën e kërcënimit me protesta, por mbi bazën e pranimit. Ajo që nuk po shohim të ndodhë, është ajo që duhej të vinte nga Partia Socialiste, nga zoti Rama, i cili, edhe pse rezoluta është shumë e rreptë me të, përpiqet ta paraqesë atë në të kundërtën e vet, ta paraqesë si mbështetje të bojkotit”, - deklaroi deputeti i PD-së, Ilir Rusmali.