SHBA – Kinë, shkopi dhe karrota
International Herald Tribune
Dy drejtime të ndryshme janë të dukshme në marrëdhëniet SHBA-Kinë. Një drejtim është ai i orientimit drejt bashkëpunimit, ndërtimit të besimit reciprok dhe përfitimit të përbashkët. Rruga e dytë është ajo e vazhdimit të ndarjeve aktuale, duke çuar në rritjen e shkallës së mosbesimit dhe konfliktit. Fakti se Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë shumë interesa të përbashkëta, nuk do të thotë se pashmangshmërisht të dyja vendet do të ndjekin rrugën e bashkëpunimit. Ka shumë çështje globale që kërkojnë bashkëpunimin amerikano-kinez, duke filluar me ndryshimet klimatike, problemet në fushën e energjisë, shumimi i armëve bërthamore, e deri tek epidemitë e ndryshme.
Problemi kryesor në raportet aktuale mes dy vendeve është mosbesimi i dyanshëm. Një pjesë e madhe e kinezëve, jo vetëm në qeveri, besojnë se Shtetet e Bashkuara janë aty për të penguar ngritjen e Kinës dhe përpiqen pa pushim ta rrëzojnë qeverinë. Kinezët ndonëse e shohin Amerikën si fuqi në rënie, ata prapë e gjykojnë çdo veprim të Amerikës me lentet e poshtërimit që Perëndimi i ka bërë Kinës.
Nga ana tjetër, një numër i madh amerikanësh i tremben apo janë të frustruar nga rritja e shpejtë ekonomike e Kinës. Kjo ndjesi bëhet më e fortë në kohën e vështirësive ekonomike për Shtetet e Bashkuara. Kësaj i shtohet dhe pasiguria rreth objektivave ushtarake të Kinës, në veçanti në rajonin e Paqësorit. Kina ka një sistem njëpartiak dhe shteti akuzohet për shumë shkelje të të drejtave të njeriut. Megjithatë, Kina nuk është një vend monolit. E vërteta në terren është se Kina ka shumë anë që ndryshojnë vazhdimisht. Qindra miliona njerëz kanë dalë nga varfëria. Qindra disidentë politikë janë të degdisur në burgje, por miliona kinezë të tjerë po gëzojnë një shkallë më të madhe lirie në përditshmërinë e tyre.
Në këto kushte ka vetëm një rrugë për të zhbërë mosbesimin e përbashkët që ekziston në raportet Uashington – Pekin: Të pranohet mosbesimi dhe dyshimet dhe të punohet së bashku për t’i adresuar ato. Vetëm në këtë mënyrë secila palë do të demonstrojë besim te bashkëpunimi dhe jo te konfliktet.
Në këtë kuadër, duhet të zgjerohen raportet e shkëmbimit mes njerëzve. Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin Kinës mjete që do ta ndihmojnë atë në rrugën e zhvillimit. Natyrisht, këtu nënkuptohet që do të jenë së bashku shkopi dhe karrota.
Kina, nga ana e saj, duhet të marrë masa që ta sigurojë Amerikën se Pekini do të jetë konkurrues i ndershëm në treg duke zbatuar ligjet ndërkombëtare.
Duket se Sekretari i Thesarit, Timothi Gartner, e ka përshkruar situatën më së miri: Ka gjëra që Kina i dëshiron nga Shtetet e Bashkuara, por që do të mund t’i marrë vetëm nëse Kina bën diçka tjetër që e kërkon Amerika. Edhe e anasjellta, është e vërtetë.
Samiti SHBA-Kinë gjatë vizitës së Hu Xhintaos në Uashington do të jetë prova nëse udhëheqësit e të dyja vendeve do të punojnë për forcimin e marrëdhënieve në mënyrë që të përfitojnë qytetarët e këtyre vendeve, por edhe pjesa tjetër e botës.
Somario
Në këto kushte ka vetëm një rrugë për të zhbërë mosbesimin e përbashkët që ekziston në raportet Uashington – Pekin: Të pranohet mosbesimi dhe dyshimet dhe të punohet së bashku për t’i adresuar ato. Vetëm në këtë mënyrë secila palë do të demonstrojë besim te bashkëpunimi dhe jo te konfliktet
Besueshmëria e medias dhe fenomeni “Berluskoni”
Megan Uilliams
Pandeli Pani
Italia është i vetmi vend i Evropës Perëndimore i klasifikuar në indeksin e “Freedom House” për lirinë e shtypit vetëm si “pjesërisht e lirë”. Italia e humbi klasifikimin si një vend me shtyp të lirë në vitin 2009. Gjatë një “talk-show” që transmetohet drejtpërdrejt në televizionin shtetëror italian gazetarja e njohur investigative, Milena Gabaneli lexoi në nëntor 2010 listën e proceseve gjyqësore që po zhvillohen kundër emisionit të saj “Report”. Lista përmban 23 procese dhe shuma me të cilën është dënuar emisioni i saj është 251 milionë euro. Në 14 vitet e fundit në të cilat Gabaneli raporton në emisionin e saj për raste të shpërdorimit të postit publik, për shpërdorim fondesh dhe politikanë dhe drejtues sipërmarrjesh të korruptuar ajo është dënuar me gjoba në mënyrë sistematike, por Gabanelli ka humbur vetëm në një rast, dënimi është 30.000 euro, dhe tani çështja është në Gjykatën e Apelit.
"Është e qartë qe vendimet gjyqësore kundër nesh janë të tilla që të na mbajnë larg prej hulumtimit investigativ të disa çështjeve, ndërkohë që gjykimet vazhdojnë deri në 10 vjet. Vendimet e tyre kanë si qëllim të na frikësojnë,” - thekson Gabanelli.
Shumë prej gjyqeve janë iniciuar prej mbështetësve të Silvio Berluskonit dhe një prej vetë Berluskonit. Ai zotëron tre stacionet më të mëdha private në Itali dhe si kryeministër ka ndikim të fortë ndaj tri kanaleve të televizionit shtetëror RAI.
Sipas një raporti të fundit të International Press Institute konflikti i interesit i shkaktuar prej rolit të Berluskonit si kryetar i shtetit dhe pronar mediash private ka “inkurajuar ndikimin e politikës ndaj mediave.”
“Kritikat ndaj Berluskonit janë në shumicën e mediave italiane dhe në televizion shtetëror të tilla, që nuk përmbajnë asgjë të re, nuk ka asnjë lloj mënyre të re për të kritikuar Berluskonin.” - thotë Kristofer Uiner, komentator politik.
Shumica e zërave që kundërshtonin konfliktin e interesit të Berluskonit si pronar masmediash dhe kryetar shteti u dëgjuan para më tepër se një dekade, kur ai hyri në politikë. Një grup i vogël pjesëtarësh kokëfortë të opozitës, gazetarësh dhe blogerësh vazhduan ta trajtojnë këtë çështje, por Berluskoni ka përparësi ndaj tyre.
“Në rrjetin e tij të mediave ka ose pak ose aspak qëndrim kritik. Duke qenë kryeministër ai ka një kontroll të madh ndaj televizionit shtetëror, i cili e minimizon frymën kritike, edhe pse vazhdon ta ketë. Por unë mendoj se kjo nuk ka pasur asnjë efekt konkret.” - thotë Kristofer Uiner.
Shumica e italianëve i marrin informacionet prej televizioneve që ose janë pronë e Berluskonit ose kontrollohen prej tij.
Alesso Jakona, i cili në blogun e tij merret me mediat italiane, thotë se shumica e gazetave në Itali marrin fonde nga shteti dhe janë të lidhura ngushtë me partitë politike, dhe prandaj nuk mund të raportojnë në mënyrë të pavarur.
“Një pjesë e madhe e gazetave tona i përket Berluskonit. Pjesa tjetër është kundër Berluskonit, por punon për dikë tjetër.” - sqaron Jacona.
Jakona thotë se italianët duhet të përpiqen të shfrytëzojnë burime të ndryshme për lajmet për të kuptuar më mirë se ç'ndodh në vendin e tyre. Kjo është një përpjekje që shumica e italianëve, të cilët preferojnë të ndezin televizorin për të ndjekur lajmet, duket se nuk kanë dëshirë ta bëjë.
Marrë nga Dojçe Vele. Titulli është redaksional
20 Janar 2011