“Rama armik i suksesit, vota “kundër” për taksat, strategji e dështuar”

Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani
Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani e cilësoi strategji të dështuar të Edi Ramës, votën kundër të opozitës në Kuvend ndaj ligjit të ri që eliminon taksat për 220 mijë shqiptarë. “Partia Demokratike votoi një ligj të ri në Parlament për të eliminuar taksat për 220 mijë Shqiptarë që punojnë shumë e që fitojnë deri në 30 mijë Lek në muaj. Por Partia Socialiste votoi kundër. Në fakt, nuk habitet askush pse deputetet e Edi Ramës votuan kundër, sepse Edi Rama gjithmonë kërkon të rrisë taksat, jo t’i heqë ato. Edi Rama i tha ;jo’ heqjes së taksave për familjet. Tha ‘jo’ për kthimin e parave në xhepat e punëtorëve dhe u tha ‘po’ strategjive të dështuara elektorale. Dhe nuk habitet askush që ai nuk bën asgjë për të krijuar vende pune, apo për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Ky ligj u miratua, pavarësisht strategjisë së dështuar elektorale të Edi Ramës dhe ky ligj do të ndryshojë jetën e shumë familjeve Shqiptare”, u shpreh Bogdani.
Ai vlerësoi se për një punëtor që fiton 22 mijë lek në muaj, sipas ligjit të ri të miratuar nga mazhoranca, do të ketë 0 Lek taksa; kjo do të thotë 26 mijë lek në vit më shume në xhepat e tij.
“Për një punëtor që merr 30 mijë Lek në muaj, do të ketë 0 taksa. Kjo do të thotë 36 mijë lek më shumë në vit në xhepin e tij. Para me të cilat mund të paguajë energjinë elektrike për më shumë se 4 muaj. Shpenzime këto, që ndihmojnë në rritjen e biznesit të vogël dhe krijojnë vende pune”, tha ai.
Deputeti demokrat theksoi se me politikën e bllokimit, Rama dëshmohet si armik i suksesit.
“A mendon në të vërtetë EdiRama se këto familje duhet të privohen nga kjo ndihmë, vetëm për hir të strategjisë së tij elektorale? A është Edi Rama aq i frikësuar nga humbja e pushtetit në Partinë Socialiste, sa i detyron deputetët e tij të votojnë kundër kësaj ndihmë për këto familje? Çfarë slogani bosh do të gatuajë tani Edi Rama, në përpjekje për të çorientuar njerëzit nga rekordet e tij të rritjes së taksave? Çfarë barsalete tjetër do të tregojë tani Edi Rama për të tërhequr vëmendjen nga fakti se ai nuk ka asnjë plan konkret për të shtuar te ardhurat në xhepat e Shqiptarëve e për t’i lehtësuar ata nga taksat? Edi Rama ka provuar vazhdimisht se ai është armik i suksesit. Partia Demokratike beson tek mundësitë për të gjithë qytetarët. Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë çdo ditë që të ketë më shumë para në xhepat e tyre e të krijojmë edhe më shumë vende pune”, deklaroi më tej, Bogdani.