Vëzhgimi/“Zoti Tahiri, yt atë ka bërë zarar, nuk ka bërë gol me kombëtaren”
Tendenca e dy ditëve të fundit, e nisur nga Saimir Tahiri (sepse atij i takonte) dhe e vazhduar nga Edi Rama (edhe dje në Fier), për të marrë në mbrojtje Bashkim Tahirin, të dyshuarin dhe nën hetim për kontrabandë e evazion fiskal, në bashkëpunim, është më pak e rëndësishmja… Përballë këtij qëndrimi “më pak të rëndësishëm”, vjen “më e rëndësishmja”, e cila, as më shumë e as më pak është prirja për ta paraqitur Bashkim Tahirin, babanë e Saimir Tahirit, si martir, apo edhe si hero.
Çudira të tilla vetëm nën ombrellën e “familjes politike socialiste” mund të ndodhin…, sikurse trajtimi i një të dyshuari dhe nën hetim për kontrabandë e evazion fiskal, në bashkëpunim, si një golashënues i rëndësishëm, i bie fjala Kombëtares së futbollit. Është harruar këto ditë fitorja “e rëndësishme” e Shqipërisë përballë Norvegjisë në futboll, si një trampolinë për pjesëmarrjen në eliminatoret e Kampionatit Botëror të Futbollit në Brazil, në vitin 2014. Është harruar edhe fitorja e “më pak e rëndësishme” më Lituaninë…
Njeriu “gol” këto ditë është Bashkim Tahiri…, jo pse ai ëhstë një i dyshuar dhe nën hetim për kontrabandë e evazion fiskal, në bashkëpunim, por sepse është babi i Saimir Tahirit, një opozitari, që sikurse i certifikoi dje edhe Edi Rama në Fier, nuk kanë pse preken…, për çfarë do lloj zarari që të bëjnë.