E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama bie me gjethet e kësaj vjeshte

15-06-2012 / Gazeta 55

Njeriu anti-Europë, që ka uzurpuar partinë kryesore të opozitës i ka bërë hesapet pa hanxhinë. Duke kundërshtuar interesat kombëtare të integrimit të vendit, ai i ka dhënë legjitimitet Lëvizjes politike të Fatos Nanos. Me nismën statutore që fton anëtarësinë në një referendum, për të çliruar PS-në nga lidershipi antievropian, kjo vjeshtë parathotë muzgun politik të Edi Ramës

E shumë dëshiruara vjeshtë prej Edi Ramës, me shumë gjasa do të jetë një stinë, në përfundim të së cilës ai do e mallkojë atë në formën “mos ardhsh kurrë”.
Ajo që Edi Rama e shumëpretë, (mos)marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, do të shndërrohet në një dëshirë periferike për atë vetë, bashkë me mundësinë për të kundërtën, dëshirën për të mos i dalë lutjet dhe tentativat profetike të tij. Përballja e pritshme (motorët e së cilës janë ndezur) me Fatos Nanon, do të kërkojnë shumë mund, sforco e energji, të cilat pavarësisht staturës antieuropiane, e kundër aspiratave të shqiptarëve, do të meritojnë prej Edi Ramës vëmendjen më maksimale. Një paralelizëm mes rënies së gjetheve në vjeshtë dhe rënies së Edi Ramës nga kreu i PS-së, do të shtrojnë nevojën e madhe prej atij vetë, që për të mos e mundësuar këtë paralelizëm, të heqë dorë nga disa sjellje tekanjoze e ti “përkushtohet” përballjes..., jo vetëm me Fatos Nanon.
E konceptuar si një lëvizje, jo aq për “kthimin e Nanos në krye të PS-së”, për aq kohë sa ish-kreu i kësaj partie, lideri historik i saj, e sfidon Edi Ramën në emër të statutit të PS-së, përballje e kreut aktual të partisë, do të jetë me anëtarësinë e saj (partisë).
Ai (Edi Rama), i cili gjithmonë ka demonstruar anarshi edhe kur dilet me sëpatë në dorë, për të prerë shtyllat elektrike për inat të Andis Harasanit, edhe kur hynte me megafon në Kuvend për inat të komisionit hetimor ndaj tij, edhe kur zëvendësoi Rexhep Meidanin, Servet Pëllumbin, Ylli Bufin, etj..., etj..., me Dash Pezën, Artan Gaçin, Olta Xhaçkën etj..., etj..., edhe kur këtë frymë e përcolli edhe te, bie fjala, Erion Veliaj, në atë farë mase sa atë ta rrahin si legen re:fressh-istët, pse bëri me të rinjtë atë që bëri Edi Rama me të vjetrit, apo edhe kur flirton me Dritan Priftin e përjashton Kastriot Islamin..., tashmë, ndoshta për herë të parë do të duhet të përballet me rregullat e mbrojtësit e pritshëm të tyre (rregullave), të cilët nuk është se janë më shumë, se sa anëtarësia e PS-së. Ajo që për Edi Ramën ka qenë “arma më e fortë”, anarshia dhe shpërfillja dhe injorimi i rregullave, do të shndërrohet në “armën më të dobët” të tij, përballë “armës më të fortë” të Fatos Nanos, statuti i PS-së.
Përballë një situate të tillë të pritshme, Edi Rama ka edhe një tjetër disavantazh, mungesën e “logjistikës”, sikurse policia e rendi apo ajo bashkiake, që dikur “mbështeste” operacionet e tij me sëpatë rrugëve të Tiranës, apo edhe ndoca gardistë që “bënin një sy qorr e një vesh shurdh”, kur Edi rama “performonte” me megafon në ambientet e Kuvendit.
Në qoftë se llogaritë ia ka bërë, që në përballjen me Fatos Nanon, “të mbështetet” te, bie fjala, policët privatë të Pjerin Ndreut, kjo do t’ia afrojë atij rënien nga kreu i PS-së, me rënien e gjetheve në vjeshtë, pse, sërish bie fjala, vetë Pjerin Ndreu i pompuar prej Edi Ramës, këtë “status” ka luajtur edhe më herët, për pasojë, nën moton e tij “poshtë mbreti, rroftë mbreti”, nuk e ka për gjë “ta shesë” Edi Ramën dhe vetë “ti paguhet prurësit më të parë”..., bashkë me gjithë policët e tij.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›