E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balliu: Fenomeni “Çaushesku” i Rumanisë, në Tiranë po merr trajtën e Edi Ramës

15-06-2012 / Gazeta 55

Libri “Berisha përmes Kasandrave” promovohet në Rumani nën titullin “Berisha dhe Shqipëria demokratike”. Në sallën qendrore të Muzeut Historik të Bukureshtit, shkrimtarë, publicistë dhe albanofilë mirëpritën një publikim, që sipas tyre i shërben shumë opinionit publik të vendit ish-komunist

Shkrimtari Bedros Horasangian: “Dr. Sali Berisha ia doli mbanë të ndryshojë rrjedhën e historisë moderne shqiptare”
Përkthyesi Tiberius Puju: “Botimi i Balliut plotëson zbrazëtinë që ekziston në opinionin publik rumun për Shqipërinë”

“Berisha përmes Kasandrave”, libri kushtuar një prej figurave më të rëndësishme të historisë së politikës shqiptare pas viteve 90-të, kryeministrit aktual Sali Berisha, shkruar nga shkrimtari dhe publicisti Fahri Balliu është botuar së fundi dhe në Rumani. Të hënën më 11 qershor libri i cili në rumanisht është botuar me titullin “Berisha dhe Shqipëria Demokratike” u promovua në sallën Lapidarium të Muzeut Kombëtar të Historisë së Rumanisë,  Bukuresht. Veprimtaria u organizua nga Muzeu Kombëtar i Historisë së Rumanisë dhe Shtëpia Botuese “Leda” - pjesë e grupit editorial “Corint”. Në veprimtari morën pjesë anëtarë të trupit diplomatik të akredituar në Bukuresht, Ambasadori i Shqipërisë në Bukuresht, Sami Shiba, miq të Shqipërisë, anëtarë të komunitetit shqiptar të Rumanisë, analistë të njohur, historianë, shkrimtarë dhe masmedia rumune. Për librin folën shkrimtari Bedros Horasangian, Tiberius Puiu përkthyes i librit, Dr.Gelcu Maksutovici, historian dhe Dr. Ernest Oberländer-Târnoveanu, Drejtor i Përgjithshëm i Muzeut Kombëtar të Historisë. Dr Ernest Oberländer-Târnoveanu hapi aktivitetin duke u shprehur se jo rastësisht, promovimi i këtij libri kryhet në vitin 2012, i cili shënon 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, një ngjarje e rëndësishme historike, një ngjarje e shënuar për kombin shqiptar.
Ky është libri i katërt që publicisti Fahri Balliu boton në Bukuresht, pas monografisë best seller “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha” (Shtëpia Botuese “Humanitas”), romaneve “Panteoni i zi” dhe “Arkitekti” (“Vremea”). “Kemi tani në dorë një libër për Shqipërinë e ditëve tona. Shqipëria ka një histori të përbashkët me popujt e të tjerë të Ballkanit. As më të mirë, as më të keqe. Fatkeqësia e fundit (e madhe) në historinë e këtij vendi, Shqipërisë dhe shqiptarëve – nga e cila u përjashtua Turqia dhe Greqia – ka qenë diktatura komuniste, e cila e çoi vendin dhe popullin shqiptar në një situatë dramatike. Vendosja e komunizmit, pas Luftës së Dytë Botërore, diktatura e tipit stalinist, në variantin maoist, e izoluan Shqipërinë për vite me radhë nga pjesa tjetër e Europës. Kështu që fitorja në zgjedhjet e lira të 22 marsit 1992 e opozitës demokratike në Shqipëri, i dhanë një drejtim tjetër historisë së këtij populli. Dr. Sali Berisha, një mjek me prestigj, i paankoruar me sistemin e vjetër, me mekanizmat e pushtetit, arrin të bëhet President i Shqipërisë. Ky politikan, kryetar i Partisë Demokratike, ia del mbanë të ndryshojë rrjedhën e historisë shqiptare moderne, ky është subjekti i këtij libri tejet tërheqës”, shprehet Bedros Horasangian. Nuk është fjala për një monografi të mirëfilltë dedikuar një personaliteti politik, por për një panoramë të gjerë të shqetësimeve të shoqërisë shqiptare në dhjetëvjeçarin e parë pas rënies së komunistëve nga pushteti, në Shqipëri. Sipas Horasangian “Autori i librit, Fahri Balliu, gazetar me përvojë, drejtues shtypi, politolog i aftë dhe me një stazh në diplomaci, na bën një radiografi të shoqërisë shqiptare të viteve të para pas ’90-s”.
Për përkthyesin dhe analistin e njohur politik, Tiberius Puiu, ky është një libër i rëndësishëm për të gjithë ata që duan të kuptojnë atë çfarë ka ndodhur vërtet me Shqipërinë e para dhe pas viteve 90-të. “Ky libër, i cili tregon momente të rëndësishme të ndarjes nga komunizmi në Shqipëri, i ofron lexuesit rumun një mundësi për të shqyrtuar edhe evoluimin e Rumanisë pas vitit 1989. Sepse, edhe pse pak e dinë këtë, komunizmi rumun ishte i afërt me komunizmin shqiptar, sidomos në vitet e fundit. Diktatori i gjithëpushtetshëm dhe i gjithëditur, vetizolimi i vendit, ekzagjerimi i “kështjellës së pamposhtur”, ekzagjerimi i ndjenjës nacionaliste, ndërsa e vërteta është se komunistët kanë qenë tradhtarët më të mëdhenj të interesave të vendit, këto janë vetëm disa nga karakteristikat e dy regjimeve komuniste. Fakti që në Rumaninë e Çausheskut nuk kanë ndodhur ekzekutimet e Shqipërisë, nuk përbën një ndryshim thelbësor, sidomos për vitet e fundit, të cilat treguan një afrim gjithnjë e më të madh në drejtimet politike të Rumanisë dhe të Shqipërisë”, do të thoshte në fjalën tij Tiberius Puiu, teksa shton se ky libër do të plotësojë zbrazëtinë që ekziston në opinionin publik rumun për Shqipërinë, për tranzicionin shqiptar.
Dr. Gelcu Maksutovici, historian rumun me origjinë shqiptare, foli për kontekstin historik të librit, për evolucionin e ndodhive historike dhe tranzicionin shqiptar, për figurën e intelektualit dhe politikanit Sali Berisha, i cili ka shënjuar gjithë periudhën e historisë moderne shqiptare pas viteve ’90, në të gjitha fazat integruese të Shqipërisë në hapësirat Euro Atlantike.
Në mbyllje të aktivitetit foli autori i librit z. Fahri Balliu, i cili falënderoi të pranishmit, të gjithë ata që bënë të mundur botimin e librit. Për të pranishmit,  zoti. Balliu, hoqi disa paralele për elementet e përbashkët të historisë së Shqipërisë dhe asaj të Rumanisë. Në kontekstin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, ai nënvizoi mirënjohjen e shqiptarëve për ndihmesën që ka dhënë Rumania për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Njëherazi, autori i librit evokoi disa figura historike shqiptare, duke theksuar rolin e tyre në një kontekst europian. Më pas u ndal në figurën e Dr. Sali Berishës, duke bërë një inkursion mbi kalimin e këtij personaliteti politik nga një intelektual i shquar, si mjek kardiolog dhe profesor universitar, në një politikan që do të luante një rol kardinal në të gjitha momentet e rëndësishme të demokratizimit të Shqipërisë. Ai theksoi se, në sajë të këtij politikani, Shqipëria është sot anëtare e NATO-s, shtetasit shqiptarë lëvizin pa viza në Europë. “Shqipëria sot, në sajë të drejtimit të Sali Berishës, është një nga të paktat vende europiane që nuk e njeh recesionin ekonomik, ku investimet e huaja, për shkak të politikave liberale ekonomike dhe fiskale, kanë njohur një rritje thelbësore”.
Në mbyllje të këtij aktiviteti vijoi një intermexo muzikore, ku sopranoja e njohur shqiptare, Arlinda Morava, interpretoi për të pranishmit një pjesë nga muzika klasike rumune si dhe dy këngë nga repertori i muzikës shqiptare.
Botimi i këtij libri ka tërhequr vëmendjen e shtypit rumun, i cili e sheh këtë monografi politike si një mënyrë për të njohur Shqipërinë.  

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›