Rama brenda javës drejt Strasburgut për mbështetje
09/03/2010 Kreu i PS-së mbledh sot kryesinë e vogël për takimet
Do të tentohet lobim tek anëtarët e PSE-së dhe të Internacionales
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pritet të niset brenda kësaj jave drejt Strasburgut për sqarimin e situatës politike në vend te ndërkombëtarët. Burime pranë PS-së thanë për gazetën “Metropol” se kryetari i PS-së do të tentojë lobimin pikësëpari te krerët e partive anëtare të Internacionales Socialiste në lidhje me çështjet që ka ngritur e majta, sidomos për zgjedhjet në Shqipëri. Në këto takime Rama do të tentojë mbështetjen edhe të anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës pas vizitës që këta të fundit bënë në vendin tonë.
Sot kreu i PS-së pritet të mbledhë atë që është quajtur “kryesia e vogël” për të diskutuar rreth çështjeve që Rama do të ngrejë në takimet me ndërkombëtarët, si dhe pozicionin e PS-së pas hyrjes në Kuvend dhe bojkotin e paralajmëruar në rast se nuk zgjidhet çështja e kutive. Këto takime, sipas të njëjtave burime, bëhen dhe në prag të takimit të partive të PSE-së, që do të zhvillohet në fund të marsit në Tiranë, ku Rama do të jetë bashkëkryetar, si kreu i partisë të vendit pritës. Qëndrimi dhe çështjet paraprake që do të diskutohen në fund të këtij muaji në këtë takim pritet të diskutohen paraprakisht edhe me krerët e PSE-së dhe Internacionales në Strasburg.
Takimet e Ramës vijnë në një kohë kur vetë ai është akuzuar nga mazhoranca se me bojkotin e tij po pengon liberalizimin e vizave. Dhe për hir të së vërtetës duhet thënë se në aksionin e tij politik nuk ka gjetur mbështetjen e duhur të ndërkombëtarëve. Shumë eksponentë të PPE-së, dhe jo vetëm ata, por dhe deputetë të majtë në Parlamentin Evropian, nuk kanë qenë dakord me metodat paksa të ashpra të Ramës në të bërit politikë: edhe rezoluta e miratuar nga Parlamenti Evropian, por dhe vizita e kreut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Tiranë, Çavushoglu, nuk kanë qenë shumë inkurajuese për opozitën, e cila megjithatë është munduar që këto deklarata t’i interpretojë në favor të saj. Gjithsesi, është kohë kur së majtës më shumë se kurrë i duhen aleatë në aktorin ndërkombëtar, për t’u përballur me akuzat që mazhoranca ka ngritur ndaj saj, e cila sipas Kryeministrit ka të bëjë me një politikë denigruese në dëm të interesave integruese të vendit.
Rama mbledh gratë për 8 Marsin
“Hapja e kutive për të mos lejuar sundimin e pushtetit”
Megjithëse duhet të ishte një takim urimi ai i djeshmi me gratë socialiste, sërish kryetari i PS-së nuk ka mundur të lërë dot jashtë fjalës së tij çështjen e hapjes së kutive. Sipas kreut socialist, nëse bëhet transparenca e kutive të votimit të 28 qershorit, zhduket sundimi ndaj qytetarëve dhe fiton e drejta e mirëqeverisjes së tyre nga një pushtet i përgjegjshëm. Duke prekur edhe çështjen sensitive të hapjes së kutive, megjithëse doli para tyre për të folur për të drejtat e grave, ai tha se ajo duhet realizuar, në mënyrë që askush të mos guxojë më që vullnetin e zgjedhësve ta kthejë në sundim të tij. “Ne nuk kërkojmë ndonjë të drejtë prone mbi kutitë e votimit. Por të mos harrojmë se në ato kuti janë investimet e ëndrrave, shpresave të të gjithë atyre që më 28 qershor nuk kanë hedhur thjesht një copë letër brenda tyre, por një vullnet të qytetëruar të sovranit”, - tha mes të tjerash Edi Rama. Më tej ai ka shtuar se prandaj është shumë e rëndësishme që të dihet se në demokraci ka shumë rëndësi përgjegjësia e qeverisjes për t’u kujdesur për qytetarin. “Hapja e kutive është e vetmja mënyrë për të mirëqeverisur dhe jo për të sunduar. Dhe ne jemi të gatshëm ta mirëqeverisim këtë vend, ashtu siç nuk e bën dot askush tjetër”, - e ka mbyllur fjalën e tij Rama.