E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti, inflacioni në janar arrin 4.4 për qind

09/03/2010 Tejkalohet norma e parashikuar nga Banka e Shqipërisë

Rëndohen buxhetet, shkak rritja e energjisë dhe zarzavatet

Tashmë edhe zyrtarisht inflacioni i kalon kufijtë e paracaktuar nga institucionet shtetërore. INSTAT raportoi se rritja e çmimeve gjatë muajit shkurt u regjistrua në 4.4 për qind dhe se pothuaj të gjithë grupet e shportës së matjes së inflacionit kanë pësuar shtrenjtim. Kjo do të thotë se buxhetet e familjeve shqiptare do të vazhdojnë të rëndohen akoma dhe më tepër nga rritja e ndjeshme e çmimeve të konsumit. “Ndryshim vjetor i indeksit të çmimit të konsumit është 4.4 për qind, nga 1.9 për qind që ishte një vit më parë. Indeksi i grupit ushqime dhe pije joalkoolike shënoi një rritje prej 2.4 për qind, brenda të cilit rritjen më të madhe prej 3.1 për qind vërehet në grupin e zarzavateve”, thotë Hazbie Bunguri, eksperte e çmimeve, INSTAT. Ashtu siç edhe ishte lajmëruar që në fillim të vitit rritje të ndjeshme në inflacion ka shkaktuar edhe shtrenjtimi i çmimit të energjisë. “Çmimi i energjisë elektrike shënoi një rritje prej 13.1 për qind, rritje kjo e cila u reflektua që në indeksin e muajit janar të vitit 2010. Kjo rritje ka pasur ndikim në 0.5 për qind në totalin e ndryshimit të indeksit të çmimit të konsumit”, vijon Bunguri. Sfida e inflacionit duket se do të zgjasë edhe në muajt në vazhdim. Shtrenjtimi i energjisë edhe në vitet e tjera ka shkaktuar një zinxhir rritjesh të tjera çmimesh. Ndërkohë ndryshe nga vitet e tjera gjatë muajit janar është shënuar rritje e ndjeshme në grupin e zarzavateve, çka do të thotë që çmimet e këtij grupi do të vazhdojnë të rriten akoma edhe më shumë gjatë muajve në vazhdim dhe do të ndikojnë direkt në buxhetet familjare.

Ndryshimi vjetor në muajin shkurt është 4.4 për qind

Grupi “Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënuan një rritje prej 2.4 për qind.

Grupi “Zarzavate përfshire patatet” rritja 13.1 për qind

Grupi “Pije alkoolike dhe duhan”, rritja 0.3 për qind

Çmimi i gazit të lëngshëm rritja 3.8 për qind

Çmimi i energjisë elektrike rritja 13.1 për qind

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›