Rama dëgjon këshillat e aleatëve: Në tryezë vetëm me Berishën
Aleatët e Partisë Socialiste kërkojnë që tryeza politike të qëndrojë në nivel politik, madje në nivel kryetarësh duke këshilluar kryesocialistin Rama që të mos pranojë bisedime në nivel ekspertësh. Kreu i PS-së, Edi Rama, mblodhi dje aleatët e tij të vegjël dhe u kërkoi mbështetje për bisedimet e nisura me Kryeministrin Sali Berisha. Aleatët e Ramës kanë mbështetur idenë e tij që tryeza të qëndrojë politike dhe të mos zbresë në nivel të dytë apo nivel ekspertësh, por të përfaqësohet vetëm nga Rama e Berisha. Gjithashtu ata kanë thënë njëzëri se “topi” tashmë mbetet në derën e presidentit Topi, duke i kërkuar atij që të organizojë takimin tjetër në nivel të lartë. Një ditë pas takimit mes tij dhe kryeministrit, Rama ka biseduar me aleatët joparlamentare për vazhdimin e protestave dhe pse është rënë dakord që ato të mos rinisin pa u përfunduar tryeza e bisedimeve.
Aleatët
Krerët e partive të majta e të djathta aleate me PS-në kërkuan që Presidenti Bamir Topi të zgjidhë krizën dhe të garantojë suksesin e tryezës, ndonëse u shprehën se nuk heqin dorë nga kushti për hetim të pakushtëzuar të zgjedhjeve, çka nënkupton hapjen e kutive. Kreu i PS-së, Rama, nuk preferoi të flasë për mediat, por nëpërmjet aleatëve të tij, u kuptua qëndrimi që tryeza të vijojë më tej mes tij dhe Kryeministrit Sali Berisha. Në takimin e djeshëm të zhvilluar për më se dy orë në një nga hotelet luksoze të Tiranës, u prek edhe tema e protestave. Ndonëse palët kanë nisur negociatat për zgjidhjen e situatës politike, aleatët artikuluan se nuk hiqet dorë nga kushti për hetim të plotë të zgjedhjeve. Ata u shprehën se janë të gatshëm të nisin protestat pas dy javësh nëse tryeza nuk respekton këtë kusht. “Tryeza ra dakord se data do qëndrojë si çështje e padiskutueshme, por për faktin se mund të shkaktojë shqetësim për tryezën do të mblidhemi të caktojmë datën kur të shohim që tryeza nuk vlen. Nuk ka bisedime në nivel ekspertësh. Ekspertët fillojnë, kur do të fillojnë të bëjnë modalitetet e hapjes së kutive dhe rinumërimit të votave. Përderisa kjo nuk është vendosur, s’ka pse të ketë ekspertë. Tryeza është mes dy kryetarëve, kryetarit të qeverisë dhe kryetarit të opozitës”, - deklaroi Spartak Ngjela. Ai shtoi se opozita duhet të përcaktojë edhe datën e një proteste të madhe, pavarësisht rezultatit të tryezës në Presidencë. “Mbështesim qëndrimin e zotit Rama në të gjithë dialogun e djeshëm, i cili duhet bërë publik dhe i qëndrojmë faktit se kjo është një e drejtë kushtetuese, është kërkesa jonë. E drejta jonë për transparencë të zgjedhjeve përmes komisionit hetimor parlamentar është shkelur, kush do e marri përsipër ta zgjidhi, do të jetë gjë e madhe. Duhet caktuar data për protestën e madhe”, - tha më tej ai. Ndërkaq kreu i PDS-së, Paskal Milo, kërkoi përgjegjësi nga kreu i shtetit, Bamir Topi. “Tani nuk ka bisedë të drejtpërdrejtë të paktën për ditët e ardhshme midis dy drejtuesve, por tashmë topi është në zyrën e Topit, tek Presidenti i Republikës. Gjej rastin t’i bëj thirrje Presidentit të Republikës, që të respektojë të drejtën kushtetuese të opozitës për hapjen e kutive. Ky nuk është favor që dikush mund të interpretojë se Presidenti po i bën opozitës, por është një e drejtë dhe detyrë kushtetuese e Presidentit, që në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, t’i japë rrugëzgjidhje ashtu siç dëshirojnë të gjithë krizës politike dhe ashtu siç komuniteti ndërkombëtar ka besim, që ai do të luajë rol të rëndësishëm, si garant i Kushtetutës për zgjidhjen e krizës”, - deklaroi Milo.