E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama del me nënën në publik, deputetet gra detyrë që ta mbrojnë



Nëna e Edi Ramës, Aneta Rama, nuk është e panjohur për publikun. Ajo shfaqet në krah të të birit pothuajse gjithmonë në ditë votimesh, kur është bërë si traditë që politikanët votojnë të shoqëruar nga familja. E meqë Rama jeton i vetëm, të paktën ligjërisht, ai shfaqet me nënën dhe me djalin që ka nga martesa e parë me Matilda Makoçin. Por pas akuzave të ashpra të Kryeministrit Berisha në Kuvend para ca ditësh, akuza që në fakt tregonin anën tjetër të Edi Ramës, mëkatet në jetën e tij private, kreu i PS-së ka zgjedhur një mënyrë mbrojtje simbolike duke marrë nënën me vete në publik në një ceremoni për 29 nëntorin. Aneta nuk pranoi të deklarohet për akuzat që rëndojnë mbi supet e të birit. “Nuk dua të flas për këtë”, - tha ajo duke shtuar se për të ka rëndësi Dita e Çlirimit, festa e 29 nëntorit duke mos shtuar asnjë deklaratë tjetër. “Unë sot kam ardhur të nderoj dhe respektoj kujtimin e vëllait tim që e kam dëshmor. Me këtë rast uroj gjithë familjet e dëshmorëve!”.

Ndërkaq në PS mësohet se është dhënë një detyrë për deputetet gra, sidomos ato të rejat, që të dalin e të mbrojnë Ramën publikisht. Pas një deklarate që bëri grupi për këtë çështje pak ditë më parë, dje për herë të parë ka dalë para mediave një nga deputetet më enigmatike të PS-së, Ermonela Felaj, e zgjedhur në Qarkun e Beratit. Një figurë jopublike, e paangazhuar më parë në PS, ajo dje doli për të mbrojtur kryetarin e partisë për akuza që në fakt kanë të bëjnë me jetën e tij personale dhe jo me partinë. “Sali Berisha të hapë kutitë dhe t’i lërë përpjekjet e kota për t’i ikur ballafaqimit me të vërtetën duke ngritur akuza të përbindshme që na turpërojnë të gjithëve për njeriun që kemi kryeministër. Gratë dhe vajzat janë dhunuar e vazhdojnë të dhunohen nga burracakë që mendojnë e flasin për to njësoj si Sali Berisha”, - tha Ermonela Felaj. Ndërkaq pak më vonë në një konferencë për shtyp doli Shega Ligori, një tjetër deputete e re e listës së PS-së. Ajo doli për ti dhënë përgjigje deklaratës së deputetes së PD-së Lajla Përnaska, e cila kërkoi që të bëhet një ligj ndëshkues ndaj burrave që dhunojnë gratë duke marrë shkak pikërisht ndaj faktet që kryeministri publikoi mbi marrëdhëniet e Edi Ramës me gratë e tij. “Kutitë dhe vetëm kutitë janë halli i madh që ju bën të flisni përçart për Edi Ramën e opozitën me shpresën e kotë se populli do të harrojë kutitë”, - tha Ligori në përgjigje të Përnaskës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›