Rama, leksione antikomuniste veteranëve
Veteranët e Luftës Nacional-Çlirimtare kanë dëgjuar dje se si ata nuk duhej të besonin tek komunizmi, edhe pse kanë qenë të përkëdhelurit e diktaturës, pasi kishin luftuar si partizanë. Ka gjetur auditorin më të papërshtatshëm për të dhënë leksione antikomuniste, por nuk ka pasur rrugë tjetër kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili nuk e ka për herë të parë që tenton të bashkojë dy gjëra që nuk shkojnë me njëra-tjetrën. Në një konfuzitet të plotë, Rama dje ka lartësuar datën 29 nëntor, që u vendos nga regjimi komunist si dita e Çlirimit të vendit nga fashistët dhe nga ana tjetër ka thënë se Partia Socialiste nuk është vazhdimësi e diktaturës komuniste. Ai mbajti një fjalim me teza që binin në kundërshtim me vetveten në konferencën që PS organizoi me titull “Nga antifashizmi në demokraci funksionale”, ku auditori kishte kryesisht veteranë. Ai mbrojti datën 29 nëntor, që shihet jo vetëm nga të djathtët, por dhe nga shumë historianë dhe analistë si një datë që shënon ndarjen e shqiptarëve dhe triumfin e komunistëve pas një lufte civile që u zhvillua në vend për pushtet. Ndërkaq Rama tha se “lufta e partizanëve shqiptarë dhe krimet e regjimit komunist nuk janë vazhdim i njëra-tjetrës. Ndërsa mosnjohja e 29 nëntorit është vazhdimi në rrugën e një ndasie të egër që nuk ka të bëjë me luftën e djeshme për lirinë, po vetëm me luftën e sotme për pushtetin”. Duke ecur me këtë logjikë, ai dhe një herë u mundua të distancojë partinë që drejton nga e shkuara e saj, një e shkuar që u fshi vetëm me një fjalë duke ndërruar emrin nga Parti e Punës në Parti Socialiste. Por Rama tha se “Partia Socialiste e socialistët shqiptarë dhe diktatura komuniste nuk janë vazhdim i njëri-tjetrit. Ndërsa njehsimi i tyre në gjuhën e politikës së vjetër të ditës, s’është kurrgjë veç keqpërdorimi i vuajtjeve të djeshme njerëzore për përfitimet e sotme politike për pushtet e para përmes pushtetit”. Sigurisht ai i referohet këtu akuzave që po i bëhen nga kampi i djathtë dhe që lidhen me disa emra që Rama sot mban në krah të tij dhe që janë kryesisht nipër dhe djem të ish-anëtarëve të Byrosë Politike të asaj kohe ose të Komitetit Qendror të Partisë. Ndërkaq Rama mbrojti datën 29 nëntor, por pikërisht në këtë datë ai foli për politikë. “29 nëntori është një ditë që na gjen fatkeqësisht të ndarë qysh se u çliruam prej regjimit komunist dhe s’po arrijmë të mbyllim dot hendekun e tmerrshëm që urrejtja e vjetër ideologjike hapi për gjysmë shekulli, ndërsa një urrejtje e re, ajo e revanshit në funksion të pushtetit, vijon ta mbajë hapur duke shfrytëzuar vuajtjet çnjerëzore të së shkuarës për të kontrolluar interesat e së tashmes”, - tha Rama.
Rama vendosi kurora me lule dje në memorialin “Nëna Shqipëri” në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut. Ai u shoqërua nga ish-presidenti Rexhep Meidani, drejtues të partive të majta, Skënder Gjinushi e Paskal Milo, si dhe ish-drejtues të LSI, Pëllumb Xhufi, Fatos Klosi, Ndre Legisi, Mustafa Muci.