Rama-deputetëve: Ndjesë nëse kam gabuar me ndonjë nga ju, bashkë do të hapim kapitullin e Rilindjes
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama e nisi mbledhjen e sotme të grupit të PS me një falënderim dhe ndjesë ndaj të gjithë anëtarëve dhe deputetëve të PS për gjithçka kanë bërë gjatë një 4 vjeçari që ai e cilësoi si të vështirë.
Sot është dita të them se ndoshta pa dashur kam gabuar edhe unë. Dua tju kërkoj të gjithëve ndjesë. Për mua të gjithë pjesëtarët e këtij grupi kanë qenë bashkëpunëtorë dhe protagonistë të rrugës drejt fitores së 23 qershorit, si një fitore e vendit. Nga ky grup parlamentar do të dalë skuadra e rilindjes, – tha Rama në hyrje të fjalës së tij.
Rama u bëri thirrje të gjithë pjesëtarëve të Partisë Socialiste që prej ditës së sotme të jenë zëdhënës të domosdoshmërisë për një pjesëmarrje sa më të madhe në zgjedhje.
“Prej sot të lihet pas çdo interes vetjak. Shqiptarët sot kanë nevojë më shumë se çdo gjë tjetër te fryma e besimit të PS, te programi i PS dhe gatishmëria jonë për të marrë në duar fatet e vendit dhe drejtimin e tij”, tha Rama.
Më tej kreu i PS theksoi se këto zgjedhje janë më të rëndësishmet që pas vitit 92 dhe si të tilla ato duhet të jenë të paprekshme.
Zgjedhjet e 23 qershorit duhet të jenë të pacenueshme, të pamanipulueshme dhe e vetmja garanci që ndryshimi i madh të ndodhë është paprekshmëria e zgjedhjeve përmes pjesëmarrjes masive në votime. Ne nuk do të vijmë në krye të punëve të vendit për të vazhduar këtë keqqeverisje, por do t’i japim fund kësaj gjendjeje për të hapur kapitullin për një Rilindje Shqiptare, – tha Rama.
30 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
Rama-deputetëve: Ndjesë nëse kam gabuar me ndonjë nga ju, bashkë do të hapim kapitullin e Rilindjes burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email