Kuvendi i FRD, Topi: PD-PS dhunuan Kushtetutën. Pas Gërdecit, Rama i dha oksigjen qeverisë së Berishës
Fryma e Re Demokratike ka mbledhur ditën e sotme Kuvendin e saj të parë Kombëtar, në një ditë që përkon me njëvjetorin e themelimit të kësaj partie si dhe vjen pas regjistrimit të saj në KQZ për të marrë pjesë në procesin elektoral të 23 qershorit si një forcë e vetme.
Kreu i FRD-së, Bamir Topi gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar të kësaj partie vlerësoi popullaritetin dhe mbështetjen që ka marrë partia e tij me vetëm një vit jetë dhe shprehu besimin se FRD do të jetë një forcë përcaktuese në zgjedhjet e ardhshme.
Fjala e kreut të FRD ishte e mbushur me kritika ndaj ish partisë së tij dhe qeverisë në pushtet, e cila sipas Topit sot është në një krizë, pasi sipas tij pushteti i sotëm investoi në shkatërrimin e përfaqësuesve të saj.
Ata që flasin sot në PD janë komunistët e dikurshëm që kanë braktisur parimet e të djathtës.
Ata zgjodhën aleancën me komunistët dhe gjysmën e opozitës së majtë për të qëndruar në pushtet dhe përzunë demokratët e vërtetë, ish-dhjetoristët dhe ish-të persekutuarit, tha Topi.
Ai akuzoi kryeministrin se duke përdorur kartën dhe retorikën e patriotizmit e nacionalizmit për arsye meskine cenoi miqësinë me partnerët ndërkombëtarë, SHBA dhe BE duke nënvizuar se roli i Shqipërisë në rajon duhet të jetë ai që njihet edhe nga ndërkombëtarët; nxitës i paqes dhe stabilitetit.
Në fjalën e tij Topi iu referua edhe të majtës, e cila sipas tij gjithashtu është në një krizë lidershipi, pasi parimet e saj të rilindjes bien në kundërshtim me aleancat që kanë zgjedhur.
Topi solli në vëmendje ndryshimet në kushtetutë të bëra më 21 prill 2008 nga PS dhe PD pak pas asaj që ndodhi në Gërdec duke e akuzuar PS se në një moment të tillë, në vend që të bënte opozitë zgjodhi ti jepte oksigjen pushtetit të Berishës.
Pas shpërthimit të Gërdecit, kur opozita duhet të kishte qenë më shumë se kurrë në pozicionin e saj për të nxjerrë atë që ndodhi në Gërdec, ku humbën jetën 26 vetë, në këtë moment e majta i dha oksigjen një pushteti dhe të dy së bashku më 21 prill u bën bashkautorë të dhunimit të kushtetutës dhe dhunimit të institucionet. Si rrjedhojë, sot 71 kartonë që nuk janë as mazhorancë, ushtrojnë dhunë mbi institucione, gjë që tregon se moralisht dhe praktikisht kjo qeverisje është rrëzuar, tha Topi.
Oketa: Jemi i vetmi vend i NATO-s ku ende diskutohet siguria e votës
Në fjalën e tij në hapje të këtij kuvendi, sekretari i përgjithshëm i FRD-së, Gazmend Oketa deklaroi se FRD edhe pse e krijuar vetëm prej një viti është tashmë një parti e mirorganizuar me degë dhe nëndegë në të gjitha rrethet e vendit dhe se do të ketë peshë përcaktuese në zgjedhjet e qershorit. Sipas Oketës, shqiptarët do të dinë të zgjedhin si alternativën e duhur pikërisht FRD përballë 2 partive të vjetra të cilat sipas tij kanë alternativë vetëm imunitetin ndaj korrupsionit dhe abuzimin.
Më tej Oketa shtroi problemin e krijuar në KQZ, duke u shprehur se është për të ardhur keq që një vend anëtar i NATO-s si Shqipëria edhe sot e kësaj dite diskuton ende për çështje të mbrojtjes së votës, ndërkohë që duhet të diskutohet vetëm për standarde.
Ne jemi i vetmi vetëm anëtar në NATO ku ende shtrohet pyetja si do mbrohet vota. Jemi vendi ku shpenzohen energjitë për luftën në KQZ. Jemi vendi ku politika flet me shumë për madhësinë e halës së ngjalës sesa ekonominë, theksoi Oketa.
Gjatë mbledhjes së sotme të kuvendit kombëtar të FRD do të miratohet programi dhe statusi i FRD-së dhe menjëherë pas saj do të publikohet lista me 212 kandidatët e propozuar nga baza për deputetë. Gjatë ditëve të ardhshme kryesia e FRD-së do të përzgjedhë nga kjo listë 140 emrat që do të depozitohen në KQZ të hënën e ardhshme.
30 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
Kuvendi i FRD, Topi: PD-PS dhunuan Kushtetutën. Pas Gërdecit, Rama i dha oksigjen qeverisë së Berishës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email