E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama dhe Meta, bashkë në Madrid

Edi Rama, Ilir Meta dhe Skënder Gjinushi do të jetë bashkë për dy ditë në këshillin e socialistëve evropianë që mbahet në Madrid. Partia Socialiste dhe Partia Socialdemokrate janë anëtare të Internacionales Socialiste, ndërsa ish-kryeministri Ilir Meta është ftuar në këtë eveniment nga organizatorët. Rama sot në mëngjes niset nga Athina drejt Madridit teksa Meta u nis një ditë më parë. Aktiviteti, që mbahet në Madrid, në ditën e parë ka të programuar hapjen dhe prezantimin e manifestit të PSE-së. Më pas është programuar një kohë e veçantë për diskutime, ku do të flasin Jose Luis Zapatero, Poul Nyrup Rasmussen dhe funksionarë të tjerë të Partisë Socialiste Evropiane. Pjesë e dytë e diskutimeve të ditës së parë është rreth ditës ndërkombëtare të të sëmurëve me SIDA dhe diskutimet rreth politikave ndërkombëtare. Në ditën e dytë parashikohet takime të ndryshme mes liderëve evropianë, më pas një tavolinë e rrumbullakët me debate për krizën financiare. Vetëm pak ditë më parë, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim deklaroi publikisht se kreu i grupit parlamentar socialist, në Parlamentin Evropian, Martin Schultz, kishte negociuar për një takim Rama-Meta. Ish-kryeministri deklaroi se kishte shkuar në takim, por diçka të tillë nuk e kishte bërë lideri i socialistëve. Para zgjedhjeve lokale të 18 shkurtit 2007, eurosocialistët ndikuan në afrimin mes dy kryetarëve të partive më të mëdha në opozitë. Shenjë për këtë ishte edhe prezenca në kongresin socialist e liderit të së majtës greke, Papandreu. Pas ardhjes së Ramës në krye të Partisë Socialiste, u desh disa muaj që të arrihej një gjuhë e përbashkët me partinë e ish-kryeministrit Ilir Meta. Kjo e fundit hezitoi për shumë kohë të vendoste firmën mbi protokollin e bashkëpunimit. Aleanca e re opozitare, pas vendosjes së vulës edhe nga LSI, u angazhua për fitoren e zgjedhjeve të pushtetit lokal. Sfida e 18 shkurtit 2007 tregoi qartazi se ky bashkim do mund të dilte fitues përballë mazhorancës së drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha. Nuk para kishte ndodhur që partia në opozitë të fitonte zgjedhjet lokale, por procesi i 18 shkurtit dëshmoi diçka të tillë. Ndonëse problemet e vogla nuk munguan, dy partitë i mbajti bashkë dëshira për të shfrytëzuar momentin e zgjedhjes së Presidentit. E majta, si pasojë e lëvizjeve të brendshme, kryesisht brenda selisë rozë, dështoi në misionin e saj për kalim në zgjedhjet e parakohshme në korrikun e vitit 2007. Zgjedhja e Bamir Topit me votat e majta ishte një goditje e rëndë për këtë formacion politik, që kishte zgjedhur të abstenonte në votim. E teksa u bashkuan në kauzën kundër ish-kryeministrit Fatos Nano, që dëshironte të bëhej president, mes PS dhe LSI nuk kishte mbaruar lufta. Mjaftoi një deklaratë në dimrin e vitit 2007 e kryetarit të Asamblesë Kombëtare të socialistëve, Gramoz Ruçi, që gjithçka të acarohej. Ruçi tha se në rast fitoreje të së majtës, kryeministri i padiskutueshëm ishte Edi Rama. Veprim që nuk u prit aspak mirë prej drejtuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që shpresonin te fitorja e zgjedhjeve dhe caktimi i Metës në detyrën e kreut të qeverisë. E ndodhur në një marrëdhënie komplekse me LSI-në, për shkak të frikës se çfarë ajo do të kërkonte në prag të zgjedhjeve, lidershipi socialist preferoi të ndryshohej Kushtetuta, duke vendosur një sistem pa biseduar me aleatët. Kjo ishte pika kthesë në koalicion, pasi Meta deklaroi publikisht shkëputjen nga aleanca me socialistët dhe krijimin e koalicionit "E majta për Integrim". Grupim që në fillim gjeti edhe mbështetjen e Partisë Demokracia Sociale, të Paskal Milos dhe Partisë Aleanca Demokratike, të Neritan Cekës. Në këtë realitet, PS zgjodhi të votojë paketën e ndryshimeve në Kushtetutë pasi u negociua në parlament me shumicën. Që nga ky moment, sulmet e LSI-së ndaj Ramës dhe lidershipit të socialistëve u shtuan ndjeshëm. Pjesë e këtij qëndrimi ishte edhe aksioni politik me tezën e referendumit për Kushtetutën. Selia rozë nga ana e saj zgjodhi të mos akuzojë publikisht Metën, duke u mjaftuar me thirrjet publike për atë që e cilësonte "moskthim në politikën e vjetër të mikut Ilir Meta". Lufta e deklaratave publike u shoqërua ndjeshëm me përplasje në bazën e dy partive. Hartimi i ligjit të ri zgjedhor dhe votimi i tij shkaktuan një tjetër stuhi në radhët e opozitës dhe marrëdhëniet mes partive.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›