E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti me Avokatin e Popullit, Arben Isaraj: Policia shkel ligjin

Partia Socialiste konstaton se është antikushtetuese dhe antiligjore të luftosh krimin nëpërmjet krimit. Deputeti Arben Isaraj tha se selia rozë, si çdo forcë tjetër demokratike, është e bindur se asnjë ide politike në Perëndim nuk ka aq forcë sot, sa ajo e rendit kushtetues. Isaraj nënvizoi faktin se ka më se 2000 vjet që është krijuar ideja e përgjithshme, e qëndrueshme dhe fondamentale se "ekzekutivi duhet ta ushtrojë pushtetin brenda disa kufijve të njohur dhe të zbatueshëm për të gjithë - kufijve kushtetues". Sipas tij, ndër kufizimet parësore janë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si të pandashme, të patjetërsueshme dhe të padhunueshme. Në vlerësimin e Isarajt, qeveri-policia e Berishës, nuk mund të torturojë apo trajtojë mizorisht dhe në mënyrë çnjerëzore dhe poshtëruese çfarëdolloj personi, me arsyetimin se po përpiqet të zbulojë të vërtetën apo krimin e dyshuar. "Qeveri-policia e Berishës, nuk mund të kufizojë lirinë e personit, kur nuk ka dyshime të arsyeshme se ka kryer një vepër penale, ose për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale, ose largimin e tij pas kryerjes së saj, me arsyetimin se po përpiqet të zbulojë të vërtetën apo krimin e dyshuar. Ta realizosh këtë pa lejen edhe të organit përkatës kushtetues, përbën dy herë krim (germa c, neni 27 i Kushtetutës)", insistoi Isaraj. Ai nguli këmbë në faktin se qeveri-policia e Berishës, nuk mund të detyrojë me çfarëdo dhune qoftë, asnjë person, të dëshmojë kundër vetes ose familjes dhe as të pohojë fajësinë e tij, me arsyetimin se po përpiqet të zbulojë të vërtetën apo krimin e dyshuar. Ky është krim kushtetues (neni 32 i Kushtetutës)", argumentoi deputeti socialist. Isaraj mendon se shkelja e këtyre të drejtave dhe lirive themelore dhe vetjake të njeriut sot, në mënyrë të përsëritur nga qeveri-policia e Berishës, të evidentuara dhe notifikuara edhe nga institucioni kushtetues i Avokatit të Popullit, përbën tashmë jo vetëm për opozitën shqiptare, por dhe për partnerët tanë ndërkombëtarë, një problem serioz, shumë shqetësues mbi vet mënyrën e qeverisjes së këtij vendi dhe për rrjedhojë dhe fatet e demokracisë shqiptare. PS shprehet se të sulmosh dhe kërcënosh, institucionin e pavarur kushtetues të Avokatit të Popullit, në realizimin e të drejtave dhe detyrimeve të tij kushtetuese dhe ligjore, nuk bën as më shumë e as më pak veçse ke sulmuar rendin kushtetues, duke i ofruar këtij vendi dhunë, tirani dhe diktaturë. Forca politike më e madhe e opozitës shpreh bindjen se në një vend demokratik dhe aspirant për NATO e BE, ruajtja e rendit dhe sigurisë nuk kërkon që policia të çlirohet nga kufizimet kushtetuese dhe ligjore në mbrojtje të individit, me pretendimin se po lufton kriminalitetin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›