E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama dhe Meta bashkë për 5 majin: Idealet e dëshmorëve sot janë të tradhtuara

ramaDrejtuesit e partive të majta e kanë festuar 5 majin së bashku, pas disa vitesh të ndarë. Kryesocialisti Edi Rama, që shoqërohej nga Ilir Meta dhe krerë të tjerë të së majtës, ka thënë se sot idealet e dëshmorëve janë të tradhtuara. Rama ka folur edhe për zgjedhjet, duke thënë se opozita do fitojë në mënyrë plebishtare.

Çdo vizitë në varrezat e dëshmorëve është njëkohësisht edhe një vizitë në varrezat e idealeve të tradhtuara nga ata që sot e sundojnë Shqipërinë, si shëmbëlltyra të një tradhtie të dyfishtë. Të tradhtisë së ëndrrave dhe shpresave që i vendosen shqiptarët krah për krah me të gjitha forcat e botës kundër murtajës fashiste dhe idealeve dhe shpresave të tradhtuara të atyre që i nxorën shqiptarët në rrugë në vitet 90. Në 23 qershor do të konfirmohet vullneti i shqiptarëve për të mos u zmbrapsur, dorëzuar përpara besimit se të gjitha ëndrrat dhe shpresat që frymëzuan luftën nacionalçlirimtare dhe lëvizjen e dhjetorit, janë aty të gatshme për të marrë rrugën, pasi populli me votë ti hapë rrugën në 23 qershor duke votuar Aleancën për Shqipërinë Europiane, për të pasur nesër qeverinë legjitime të popullit shqiptar- u shpreh Rama.

Ndërsa Ilir Meta deklaroi se 5 maji është një ditë jo vetëm për tu kujtuar, por edhe për tu bërë symbol frymëzimi për të ardhmen.

Jam i bindur se edhe 23 qershori do të japi një kontribut të rëndësishëm për një të ardhme më të mirë të Shqipërisë, por njëkohësisht edhe për të lartësuar më tej kujtimin dhe veprën e dëshmorëve, tha Meta./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›