E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama dhe kasneci i tij Tahiri duhet të ishin në bankën e të akuzuarve”

17-02-2013 / Gazeta 55

Reagon ministria e Brendshme pas akuzave të PS-së për 21 janarin

Ministria e Brendshme reagoi në lidhje me akuzat e deputetit Saimir Tahiri se një prej ekspertëve që u angazhuan për hetimet e 21 janarit ka manipuluar provat. Në një konferencë për shtyp zëdhënësi i ministrisë së  Brendshme Leonard Olli deklaron se, “Edi Rama nxori me zë dhe me figurë një ndër organizatorët e porositur të dhunës dhe përpjekjes për rrëzimin me forcë të pushtetit legjitim, për të implikuar politikisht një proces të drejtësisë, ndërkohë që ai vetë dhe kasneci i tij, duhet të ishin në bankën e të akuzuarve”. Sipas tij, këto akuza janë në vazhdën e shfryrjes së  mllefit ndaj policisë së Shtetit, e cila nuk lejoi zbatimin e skenarit famëkeq të 21 janarit, por që sot është objekt i shpifjeve dhe manipulimit banal siç ishte puna profesionale dhe tërësisht transparente e ekspertëve të Laboratorit Shkencor. Më tej, zëdhënësi ministrisë së Brendshme Olli vuri në dukje se, “I bëjmë me dije opinionit publik se ekspertët e laboratorit shkencor kryen  këqyrjet, ekzaminimin dhe administrimin e provave materiale me kërkesë të Prokurorëve të çështjes, në praninë, drejtimin dhe mbikëqyrjen Oficerëve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, së rrethit Tiranë, të cilët nga ana e tyre, pas asistimit hartuan dhe firmosen  procesverbalet e sekuestrimit te provës materiale”.
Për këtë arsye ai ka paraqitur edhe një procesverbal të firmosur dhe nga oficerët e policisë gjyqësore, të cilat janë administruar si prova gjatë procesit të hetimit gjyqësor. “I gjithë procesi i këqyrjes, gjetjes dhe fiksimit të këtyre provave materiale është filmuar dhe dokumentuar me kërkesën e ekspertëve të Laboratorit Shkencor, për t’u administruar si provë nga ana e Prokurorisë dhe ky filmim transparent është i qartë si drita e diellit”, nënvizoi ai. Ndër të tjera, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Leonard Olli e cilësoi kreun e opozitës si përgjegjës të organizimit të demonstratës së dhunshme të 21 janarit. “Edi Rama, në panik të plotë nga krimi që mban mbi supe, dëshpërimisht kërkon ta fshehë atë dhe të përbaltë profesionalizmin, transparencën dhe integritetin e punonjësve të Policisë së Shtetit.  Bazuar në moton e tij të vjetër: shpif, shpif se diçka do të mbetet z. Rama, nëpërmjet kasnecit të tij, bëri, edhe më të qartë sot, se Rilindja e socialistëve, nuk është as më shumë dhe as më pak, vetëm tendencë qesharake dhe e pashprese për t’ ju kujtuar shqiptarëve kohën e totalitarizmit, të Partisë shtet, të Partisë që urdhëron, Partisë gjykatë e  prokurori, që vetë vendos dhe vetë vulos. Nëse ka përgjegjës moralë e faktikë për ngjarjet kriminale të 21 janarit, këta janë padyshim kryesocialisti Rama, banditët dhe elementët e inkriminuar në enturazhin e tij të cilët, me urdhër të tij, sulmuan egërsisht institucionet, me ëndrrën e çmendur për marrje të pushtetit me dhunë. Vetë fakti se, prej ditësh po përpiqet të politizojë dhe inkriminojë një proces të drejtësisë, tregon panikun që e ka pllakosur pinjollin e bllokut dhe hordhitë e tij”, vijoi Olli. Në përfundim, zëdhënësi i Olli u shprehej se, “Rama po stigmatizon e sulmon  gjithçka dhe të gjithë pasi ndjen fundin e tij politik. E vërteta është se më 23 qershor, shqiptarët me votën e tyre, do t’i japin fund përgjithmonë marrëzisë së trillimeve, shpifjeve, sulmeve verbale dhe fizike, marrëzisë së bllokimit dhe izolimit”, përfundoi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme.     

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›