E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka akuzon Prokurorinë e Shkodrës: “Prokurorët, të lidhur me pushtetin”



Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, vazhdon të akuzojë Prokurorinë e Shkodrës për mosgjetjen e provave të manipulimit të zgjedhjeve. Kreu demokristianëve ka bërë të ditur se personat që u morën me çështjen e hetimit të zgjedhjeve në Shkodër janë të lidhur me pushtetin dhe janë në konflikt të hapur interesi. Ndoka ka bërë të ditur se gjatë hapjes së kutive nga Prokuroria e Shkodrës nuk ka qenë i pranishëm përfaqësuesi ligjor i PDK-së, gjë që e bën të pavlefshëm vendimin dhe delegjitimon të gjithë procesin e hetimit. Më tej Ndoka ka akuzuar Berishën dhe përfaqësues të maxhorancës së kanë ushtruar presion ndaj prokurorëve të rrethit të Shkodrës, madje dhe se kanë manipuluar provat e depozituara nga PDK-ja.
Partia Demokristiane denoncoi në Prokurorinë e Rrethit Shkodër me prova filmike vjedhjen e zgjedhjeve në qarkun e Shkodrës dhe konkretisht në KZAZ-të 40 dhe 42, duke kërkuar hapjen e pesë kutive të votimit dhe ndëshkimin e fajtorëve. Ky denoncim është kryer në përputhje me ligjin 15 muaj më parë. “Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër iu desh një vit për të tërhequr nga KQZ-ja pesë kuti votimi dhe për të provuar manipulimet, kur realisht duheshin maksimumi vetëm dy-tri javë hetim. Jemi në dijeni se KQZ-ja refuzoi për shumë kohë dorëzimin e këtyre kutive prokurorëve që hetonin çështjen dhe kur pas një viti vendosi t’i dorëzojë këto kuti, u përpunuan nga ekspertët manipulues të Partisë Demokratike, të urdhëruar nga kryeministri Berisha. Hapja e kutive nga Prokuroria pa prezencën e përfaqësuesit tonë ligjor, si palë në proces, është shkelje e rëndë procedurale dhe deligjitimon krejt hetimin”, - është shprehur Ndoka.

22 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›