Rama e nis qeverisjen me shpërdorime – portofole ministrore për të gjithë klientët e pushtetit të ri. Paralajmëron "fshesën" në administratë
Plot 19 Ministri do të ketë në kabinetin e ardhshëm të socialistëve, ose 30% më shumë se qeveria aktuale, ndryshe nga sa premtoi gjatë fushatës elektorale, për një qeveri të vogël dhe shpenzime të kontrolluara. Duket se kreu i PS është kujdesur maksimalisht për të kënaqur interesat e klientelës së tij. Kontradikta dhe i paqartë ishte kur tha se Ministria e Brendshme nuk do ndryshojë në kompetenca, por në përfundim të konferencës deklaroi se një portofol i ri ministror do jetë ai i ministrit për Çështjet Vendore. Gjithashtu, absurd ishte edhe përfshirja e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit në strukturën e Ministrisë së Shëndetësisë. Pra, jo vetëm një ndarje ministeriale pa asnjë logjikë administrative, por edhe në shkelje me premtimet e tij për "qeveri të vogël"
Kryesocialisti Edi Rama nisi në orën 15.00 prezantimin e strukturës së re të qeverisë së ardhshme, e cila sipas kryeministrit të ardhshëm do të ketë shkurtime drastike dhe më shumë rezultate. “Javës tjetër të muajit do bëhet gati struktura e qeverisë së re për vitet 2013- 2017. Struktura është ndërtuar mbi bazën e një analize të hollësishme të strukturës së tanishme dhe të të gjithë degëzimeve që në këndvështrimin tonë përbëjnë një trupë me shumë parazitë brenda, ku do bëhen shkurtime drastike” – theksoi Rama. Sipas tij të gjitha Ministritë nuk do të ndryshojnë në kompetenca por do të bëhen reforma të thella strukturore të brendshme. Kështu do jenë gjithsej 16 Ministri dhe dy Ministra pa Ministri. “Ndërtuar mbi bazën e prioriteteve dhe nevojave shumë të rëndësishme që ka vendi, duke konsultuar shumë struktura qeverish në vendet e reja të bashkimit europian, por jo vetëm. Dhe duke marrë në konsideratë domosdoshmërinë për një qeveri me shumë më tepër fokus dhe përgjegjësi të qarta mes sektorëve dhe shumë më tepër mundësi për të krijuar kushtet për të prodhuar rezultate me shumë, më pak shpenzime nga taksat”- deklaroi Rama. “Ristrukturojmë në mënyrë në plotë dhe të thellë godinën apo organikën e kryeministrisë. Shkurtim të ndjeshëm të kësaj organike. Raport i ri efikas mes kabinetit të km dhe gjithë piramidës që sot rezulton parazitare. Shkurtim drastikë të komiteteve ndërministrore”- vijoi ai. Gjatë ditës së djeshme Rama u takua me aleatin e tij kryesor, kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, takim nga i cili dy kryetarët duket se kanë bërë edhe ndarjet e fundit të posteve ministrore.
Struktura e qeverisë së re
“Reformë të thellë strukturore të brendshme nga Kryeministria, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, MPJ, MIE që do të marrë një rol të ri dhe fuqi të re, t’i japim fund një periudhe të stërzgjatur kaosi dhe moskoordinimi me agjencitë e tjera. Ministria e Drejtësisë, nuk ndryshon në kompetenca. Komitetet që do të drejtohen nga KM e thash edhe më parë, do të shkurtohen në mënyrë drastike dhe do të jenë komitete të mirëfillta pune”- tha Rama.
Reformë të thellë strukturore dhe ndarje të kompetencave të ministrive
- Ndarje të ministrisë së Ekonomisë, e cila është një strukturë shumë e rëndë me një gamë shumë të gjerë për të mbuluar një numër çështjesh dhe rezulton me diseficenca.
- Do kemi Ministri të Zhvillimit Ekonomik dhe Tregtisë
– Ministria e Energjisë dhe Industrisë
- Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve ndahet në një strukturë për Transportin dhe Zhvillimin e Infrastrukturës
- Dhe një strukturë e re që do të mbulojë boshllëkun e madh, një Ministri e Zhvillimit Urban të Turizmit.
- Më tutje do të kemi një strukturë më të plotë të asaj që sot është Ministria e Bujqësisë, do kthehet në Ministri të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.
- Ministria e Shëndetësisë mbetet me kompetencat ekzistuese dhe merr mbrojtjen e konsumatorit.
- Ministri e Arsimit dhe Sportit
- Ministria e Punës në Ministri të Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë
- Ministria e Kulturës e fokusuar vetëm tek kultura dhe zhvillimi i saj
- Ministria e Mjedisit, me kompetenca ekskluzive vetëm për Mjedisin
- Një ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike në Kryeministri
- Një ministër për Çështjet Vendore
- Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin
...