7 Milionë në 5 shtete
Nxjerrë nga libri “QENDËRCIKLONI”, botuar në vitin 2002
Emisioni i njëmbëdhjetë i “Autopsia e Diktaturës”, në Televizionin Shqiptar, në vitin 1994, u mendua të ishte një cikël i gjatë, gjithëvjetor, i strukturës organizative e krijuese, të emërtuar me domethënie, “Bota Shqiptare”. Organizatori i tij, gazetari Ndue Ukcama, që kishte studiuar për histori, me një numër të vogël krijuesish, emisionin e titulluan “ 7 milionë në 5 shtete”. Cikli u ndërtua me ardhje të përdyjavëshme, për t’u ritransmetuar me satelit në javën e ndërmjetme, për shqiptarët kudo nëpër kontinentin europian.
Skenografia e programimt, duhet thënë, qe mbresëlënëse. Ajo, për shkak të përmasave të mëdha, hiqej dhe, pas dy javësh, vendosej përsëri, vetëm aty pasmesnate, me të përfunduar transmetimet e ditës, për të qenë gati për të nesërmen. Në qendër të saj zuri vend pamja e një ulliri me rrënjë që shkonin gjerë e thellë në dhe, me trung të stërmadh, plot nej e gunga e vrima drite si frëngji, lëkurëplagosur - simbolikisht, në kuptimin që, lashtësia e kombit tonë në trojet e veta, është përtej se druri biblik. Atëherë, nuk dihej në Shqipëri, se një ulli i tillë, vërtetë paskësh qenë në qytetin shqiptar të Tivarit, dhënë padrejtësisht Malit të Zi. Ky ulli, rrethuar nga Sofra e Piratit, me trung të hatashëm, të fuqishëm e të stër vuajtur, edhe sot e kësaj dite gjethon, lulëzon e lidh kokrra, flet duke heshtur e rrëfen duke qendruar. Ai ishte mbi 2000-vjeçar, dhe shumë vite të tjerë do të jetojë, sepse, bash aty ku kishte mbërritur tharja, nga dheu sapo kishte mbirë lastari më i njomë, i lartë gati një metër. Sllavët pohonin hapur se, ata e kishin gjetur ullirin aty, ndër vendas, që kanë qenë të gjithë shqiptarë.
Emisioni, i ndërthurur edhe me elemente të spektaklit, synoi t’u përcillte teleshikuesve, tri gjëra të munguara plotësisht:
T’u bënte të ditur shqiptarëve, me dokumentet tona dhe të huaja, se trojet dhe kombi ynë, janë masakruar nga shtete fqinjë dhe Fuqitë e Mëdha, fatalisht për ne, në aleanca kundërshqiptare. Kombi shqiptar nuk është vetëm populli i Shqipërisë, siç është nënkuptuar nga politika e shtetit komunist. Ai ka arritur numrin 7 milionë dhe gjendet i ndarë në toka vijuese shqiptare nëpër 5 shtete: Shqipëri, Kosovë (dhe në Serbi - shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjes e Bujanocit, pa bërë fjalë për çështjen e përfunduar shqiptare në rajonin e Toplicës, ku nisi copëtimi i parë dhe përvojat e spastrimit mizor serb më 1878), Maqedoni, Mali i Zi dhe Greqi (Çamëria).
T’u bënte të ditur teleshikuesve që, nëse pati një ekzekutim të kombit dhe trojeve shqiptare me coptim, diktatura komuniste bëri varrosjen pa dhimbje të tyre. Ajo heshti duke mos pipëtitur për interesa të pushtetit, nuk zhgarravitit asnjë libër, të bardhë a të zi, as sa për të larë shpirtin. E përjashtoi çështjen tonë kombëtare nga lënda e gjeografisë deri aq larg sa, studenti i Shqipërisë të dinte hollësira gjeografike për Bashkimin Sovjetik, Kinën e Jugosllavinë, sa një student i Moskës, Pekinit e Beogradit, por kurrnjë fjalë atyre nuk u thuhej për Kosovën dhe qytetet e saj, në kohën që në shkollë, si mësim të radhës, mësuesi shpjegonte Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë. Ky qe shkaku, dhe që, kur dikush në Shqipëri përmendte Kosovën, kishte syresh që thoshin marrëzira nga padija: “Ku bie ky fshat?!”. Ndërsa emigrantët e vonë nga Kosova quheshin “jugosllavë”.
Censurimi ishte tejet kundërkombëtar, për të gjithë atë vijë lakore gjeografike shqiptare, duke filluar nga Tivari e Ulqini, Kosova, Maqedonia e Çamëria, një rrethim shqiptar, i panjohur dhe i injoruar në Shqipëri.
T’u jepje teleshikuesve informacion historik, gjeografik, ekonomik, demografik, ngjarje të hershme e të kohës, profile firgurash që nga lashtësia deri te ato të sotme, artin e vjetër dhe të ri, kulturën e pasur dhe të veçantë, edhe kështu të ndarë.
I gjithë programi, në javën pasuese, transmetohej me satelit dhe shikohej që nga Turqia në Mbretërinë e Bashkuar, nga brigjet e Mesdheut deri në Skandinavi, kudo ku gjenden shqiptarë.
Nuk përbën kurrfarë sekreti edhe kjo përpjekje: dy vetë u dërguan në Greqi, në viset e Çamërisë, për të vëzhguar shikueshmërinë e të dy cilkleve, “E vërteta mbi Epirin” dhe “7 milionë në 5 shtete”. Informacioni i sjellë ishte emocionues, sepse jashtë kufijve shtetërorë gjendeshin shikuesit më të vëmendshëm, deri atëherë të lënë e të ndjerë plotësisht të harruar. Telefonimet e tyre u bënë më nxitëse se sa çdo mbështetje financiare nga shqiptarë që edhe sot e kësaj dite janë po atje, në pesë shtete, duke përbërë gjysmën e kombit, që ka përballuar histori të vështirë për të mbijetuar.