E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, gjyq politik Arben Malajt - i jep kohë “të vrasë veten”

21-11-2012 / Gazeta 55

Deputeti ka kërcënuar se do të denoncojë publikisht taktikat bojkotuese të PS dhe e ka ftuar lidershipin të marrë vendimet përkatëse e të mos inskenojë gjyqe me deputetë-vegla, si Artan Gaçi, Olta Xhaçka apo Fidel Ylli

Njëra nga fushat ku duket se Edi Rama e ka gjithçka me seriozitet është ajo e spastrimeve në parti. Dje ai e ka mbajtur fjalën, duke ndërsyer skifterët e tij (të cilët i karakterizon një familjaritet i gjerë mes tyre) Artan Gaçi, Olta Xhaçka, Fidel Ylli, etj, kundër qëndrimit të Arben Malajt pro miratimit të ligjeve që do të mundësojnë marrjen e statusit të kandidatit. Të gjitha “veglat e politikës familjare” të Edi Ramës klithën për përjashtim, duke e quajtur veprimin e Malajt si të pilotuar politikisht, si një sjellje që po dëmton PS-në, në prag të nisjes së fushatës elektorale. Ata i kujtuan deputetit të Vlorës fatin politik të Kastriot Islamit dhe e kërcënuan se do të cilësohej si i përjashtuar nëse do të merrte pjesë në çfarëdolloj seance plenare, ku do të diskutohej për 3 projekt-ligjet e statusit. Gjyqi politik është drejtuar personalisht prej Edi Ramës, i cili i ka lënë të kuptohej Arben Malajt, se s’kishte më besimin e partisë e se i mbetej në dorë veçse të zgjidhte mënyrën se si do t’i hiqej qafe PS-së. Në fakt, historiku i përjashtimeve, vetëpërjashtimeve, eliminimeve politike e bile edhe atyre fizike të disidentëve politike në radhët e të majtës; bolshevike a socialdemokrate qoftë, është mjaft i pasur. Mesazhi i djeshëm i Edi Ramës drejtuar Arben Malajt është krejt i ngjashëm me mesazhet që Enver Hoxha u pat drejtuar dikur Nako Spirut apo vite më vonë edhe Mehmet Shehut. Fraza “thellohu” që diktatori përdorte, kur i ftonte kundërshtarët të vrisnin veten, dje ishte zëvendësuar me frazën “po na dëmton”. Gjithçka është e drejtpërdrejtë dhe gjyqi ndaj Arben Malajt dje përfundoi me thirrjen që disidenti “të vrasë veten”, t’i hiqet qafe partisë.
Natyrisht, gjyqi ka marrë edhe mbrojtjen e denjë të Arben Malajt, i cili mësohet se ka deklaruar se do t’i denoncojë ku të ketë rast taktikat bojkotuese që po dëmtojnë rëndë vendin dhe se s’ka ndërmend të tërhiqet para këtyre shantazheve. Ai e ka bërë qëndrimin e tij publik dhe ka ftuar lidershipin e partisë që të mos fshihet pas gjyqeve politike të porositura, por të marrë përsipër përgjegjësië e të marrë vendimet përkatëse, nëse mendon ta spastrojë partinë nga çfarëdolloj faktori politik që mendon ndryshe prej tij.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›