E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministria më 26 prill nxjer në shitje 3700 makina zyrtare

Ofertat do të dorëzohen dorazi ose me postë

Kryeministria deri më datën 26 prill do të shesë të gjitha makinat që janë në pronësi të saj. Ky institucion hapi ankandin për shitjen e automjeteve më datën 26 mars dhe përmes një lajmërimi, ajo bën të ditur se do ta mbyllë atë me datën 26 prill. Për këtë qeveria bën të ditura procedurat e hapura të ankandit për automjetet në pronësi të Kryeministrisë dhe dokumentacionin përkatës për çdo makinë. Sipas njoftimit të Kryeministrisë, ofertat do të paraqiten me shkrim dhe afati i fundit për dorëzimin e tyre është ora 11:00 e datës 26 prill, ndërkohë që hapja e ofertave do të bëhet një orë më pas po të kësaj date. Ofertat e paraqitura pas mbarimit të afatit të fundit të paraqitjes do t'u kthehen të pahapura ofertuesve që i kanë paraqitur ato. Njoftimi bëhet në mbështetje të nenit 8, të ligjit nr. 10160, datë 15.10.2009, Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë, vendimit nr. 1242, datë 16.12.2009 të Këshillit të Ministrave Për rregullat e funksionimi të komisionit të ankandit, procedurat e zhvillimit të ankandit, kriteret e vlerësimit të pronës, që nxirret në ankand, si dhe për mënyrën e indeksimit të përfitimit financiar mujor. Njoftimi mban firmën e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, z. Gjergj Lezhja. Para disa muajsh, Këshilli i Ministrave përmes një vendimi të posaçëm, bëri të detyrueshme heqjen e makinave të deputetëve dhe zyrtarëve të administratës shtetërore. Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon edhe procedurën e parablerjes së makinave të zyrtarëve të lartë, një të drejtë që e kanë vetëm zyrtarët e lartë. Në total bëhet fjalë për qindra makina të cilat mund të parablihen si nga deputetët, ashtu dhe nga zyrtarët e tjerë të shtetit. Komisioni i ankandit, për vlera më të mëdha se 1 000 000 (një milion lekë) lekë, zyrtari, në dispozicion të të cilit është mjeti, që gëzon të drejtën e parablerjes dhe që ka pranuar ofertën, ka të drejtë të kërkojë shlyerjen e pagesës me këste, të cilat nuk mund të jenë më të vogla se 500 000 (pesëqind mijë) lekë për çdo vit pasardhës, me kusht që të shlyejë menjëherë, të paktën këstin e parë prej 1 000 000 (një milion) lekësh. Kontrata e shitjes duhet të përmbajë edhe kushtet e pagesës, nëse ka, dhe nënshkruhet nga blerësi dhe titullari i autoritetit shitës. Gjithashtu, qeveria ka miratuar një udhëzim të posaçëm për procedurat e ankandit. Vendimi i qeverisë bën të qartë se lista e mjeteve të transportit që do të shiten, së bashku me të dhënat përkatëse, për vitin e prodhimit, markën dhe modelin, i dërgohet nga autoriteti shitës, zyrës doganore më të afërt, e cila brenda pesë ditëve kalendarike përgjigjet zyrtarisht për vlerën që rezulton për secilin automjet nga tabelat e buletineve, që pasqyrojnë vlerën e shitjes në tregjet evropiane. Zyra doganore e bën verifikimin në përputhje me udhëzimin nr. 25, datë 30.11.2007, të ministrit të Financave. Titullarët e autoriteteve shitëse brenda 3 muajve nga marrja e përgjigjes nga zyra doganore, ngrenë komisionet e ankandit, përbërja e të cilave është në përputhje me nenin 8 të ligjit. Komisioneve të ankandit u vihet në dispozicion inventari i mjeteve të transportit, në pronësi të autoritetit shitës, duke përcaktuar ato mjete, që u janë dhënë në përdorim titullarëve, zyrtarëve apo nëpunësve të tjerë dhe që posedohen prej tyre, si dhe i gjithë dokumentacioni për këto mjete transporti.

Ankandi për 3700 makina zyrtare

Në bazë të ligjit të miratuar në Kuvend, bëhet fjalë për rreth 3 700 makina që janë përdorur deri më sot nga zyrtarët shqiptarë, mes tyre edhe deputetë apo zyrtarë të lartë, si zëvendësministra, të cilat do të vlerësohen dhe janë në ankand të hapur për tu blerë nga çdokush. Deputetët, sipas ligjit, një grup zyrtarësh, rreth 374 titullarë, mes tyre edhe deputetët, kanë të drejtën e parablerjes së tyre. Nëse ata dëshirojnë të zotërojnë makinën që kanë përdorur si zyrtarë të shtetit apo si të zgjedhur në Kuvend, mund të bëjnë kërkesën për të parablerë makinën, pasi asaj i është bërë vlerësimi nga komisioni përkatës. Zyrtarët që kanë të drejtën e parablerjes së makinës, duhet të bëjnë një kërkesë në institucionin e tyre për të blerë makinë.

Vendimi, paratë e shitjes kalojnë në buxhet

Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon që të ardhurat e mbledhura nga shitja e automjeteve të tepërta në dispozicion të ministrive dhe institucioneve të varësisë, do të derdhen në buxhetin e shtetit. Mjetet e mbetura të pashitura në përfundim të procedurave të ankandit grumbullohen në rezervat e shtetit. Kur vlerësohet se procedurat e ankandit të parë kanë dështuar, vijohet me procedurat e ankandit të dytë. Njëkohësisht, shoferët, të cilët dalin të papunë nga zbatimi i këtyre procedurave, trajtohen në përputhje me Kodin e Punës, në varësi të kontratave individuale. Komisionet e ankandit, brenda 2 muajve nga data e krijimit, hartojnë dokumentet e ankandit, në përputhje me këtë vendim. Komisioni harton materialin shpjegues, me karakteristikat e secilit objekt që do të shitet, material i cili është pjesë e dokumentacionit për ankandin dhe duhet të përshkruajë qartë objektin, që do të shitet me ankand, duke iu referuar aktit të pronësisë mbi objektin apo aktit ligjor të disponibilitetit të tij, si dhe foto të tij. Materiali duhet të përmbajë vlerën fillestare të ankandit të mjetit të transportit, si dhe të përshkruajë metodologjinë e përdorur për vlerësimin e objektit të shitjes. Nga përshkrimi duhet të dalë gjendja funksionale e objektit të shitjes nga pikëpamja teknike, estetike dhe funksionale. Komisionet, për të llogaritur vlerën e mjetit të transportit, që do të dalë në ankand, do ti referohen tabelës së dërguar nga zyra doganore, e cila ka përdorur si burim informacioni buletinet, që pasqyrojnë çmimet e shitjes në tregjet evropiane. Vlerës së gjendur në tabelë i zbritet 50% si koeficient amortizimi për shkak të përdorimit të mjetit në territorin e Republikës së Shqipërisë. Vlera e mbetur është vlera e mjetit të transportit, e cila do të jetë edhe vlera fillestare e ankandit. Nëse nuk ka posedues të mjetit apo në rastet kur blerja është refuzuar nga personi, i cili ka pasur të drejtën e parablerjes mbi mjetin, objekt i ankandit, atëherë kalohet në procedurën e hapur. Në procedurën e hapur, komisioni i ankandit, në emër të autoritetit shitës, publikon në faqen zyrtare të internetit të institucionit përkatës, njoftimin e ofertës për fillimin e procedurave. Njoftimi dhe dokumentacioni, në varësi të vendimit të marrë nga komisioni, qëndron i publikuar apo vihet në dispozicion të të interesuarve për një periudhë 1-mujore, kohë gjatë së cilës çdo i interesuar mund të paraqesë/depozitojë ofertën e vet pranë komisionit.

Këshilli i Ministrave

Njoftim

Për fillimin e procedurave të ankandit për automjetet në pronësi të Kryeministrisë

Në mbështetje të nenit 8, të ligjit nr. 10160, datë 15.10.2009, Për Rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë, vendimit nr. 1242, datë 16.12.2009 të Këshillit të Ministrave Për rregullat e funksionimit të komisionit të ankandit, procedurat e zhvillimit të ankandit, kriteret e vlerësimit të pronës, që nxirret në ankand, si dhe për mënyrën e indeksimit të përfitimit financiar mujor, ju njoftojmë sa më poshtë:

-Fillimin e procedurës së hapur për automjetet në pronësi të Kryeministrisë me datë 26.03.2010.

-Dokumentacioni përkatës për çdo automjet do të jetë në dispozicion për çdo ofertues.

-Çdo i interesuar mund të paraqesë më shkrim ofertën.

-Ofertat do të dorëzohen vetëm dorazi ose me postë dhe afati i fundit i dorëzimit do të jetë data 26.04.2010 deri në orën 11:00.

-Hapja e ofertave do të bëhet me datë 26.4.2010, ora 12:00.

-Ofertat e paraqitura pas mbarimit të afatit të fundit të paraqitjes do t'u kthehen të pahapura

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›