E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Legalizimet, gati 1538 faturat e para për kryeqytetin

Kreu i ALUIZNI-t për Tiranën sqaron procedurat dhe afatet

Agjencia e Legalizimeve për qarkun e Tiranës ka bërë gati tashmë 1538 faturat e para për kryeqytetasit, të cilët kanë plotësuar kërkesën për të bërë legalizimin e ndërtimeve të tyre me bono privatizimi. Kreu i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave të Ndërtimeve Informale për qarkun e Tiranës, Agim Berisha, ka pohuar për standard se me hyrjen në fuqi të ligjit më 12 mars, kjo agjenci ka nisur menjëherë nga puna duke iu përgjigjur interesit të madh të qytetarëve. Berisha sqaroi se vetëm për Tiranën priten rreth 8 mijë kërkesa për të marrë faturën, e cila do tu japë qytetarëve të drejtë të legalizojnë ndërtimet e tyre me bono privatizimi. Tashmë ky proces ka filluar në mënyrë mjaft intensive. ALUIZNI boton herë pas here listat e plotë të emrave të atyre personave të cilët kanë të drejtë të bëjnë legalizimin e banesës së tyre dhe për pasojë mund të plotësojnë kërkesën në njësitë përkatëse.

Gati faturat

1538 dosjet e para të përgatitura nga ALUIZNI i qarkut të Tiranës tashmë janë gati që nëpërmjet zyrave postare të shkojnë në shtëpinë e çdo qytetari, i cili ka bërë kërkesën për të legalizuar ndërtesën e tij. Kjo dosje e plotë përmban kërkesën e bërë nga qytetarët, faturën e llogaritur nga ALUIZNI për tu paguar me bono privatizimi në bazë të përqindjes që ai do duke pasur parasysh se maksimumi është 70 për qind që mund të paguhet me bono. Pjesë e dosjes është gjithashtu dhe një tjetër dokument, i cili përcakton detyrimin për pagimin e një takse për ndikimin në infrastrukturë, e cila është vetëm 0.5 për qind e çmimit bazë të vendosur nga enti i banesave, rreth 140 lekë si dhe një tjetër faturë e që përcakton një tarifë fikse për shërbimin prej 4 mijë lekësh. Të gjitha këto dokumente me shkresën zyrtare të AUIZNI-t u mundësojnë qytetarëve që të paraqiten në bankën përkatëse për të bërë pagesën. Drejtori i ALUIZNI-t të Tiranës sqaroi më tej se është shumë i madh numri i qytetarëve që duan të bëjnë pagesat e tyre me bono privatizimi. Parlamenti miratoi në datën 4 shkurt ligjin nr. 10219 Për disa shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006, Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje, të ndryshuar. Ky ligj parashikon si formë alternative pagese për parcelën ndërtimore të objektit informal bonot e privatizimit, krahas pagesës në lekë, në vlerë të plotë monetare. Poseduesit e objekteve informale me funksion banimi apo të përzier, të kualifikuara për legalizim, me hyrjen në fuqi të ligjit, kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë, për pagesën e parcelës ndërtimore me bono privatizimi, sipas përcaktimeve të nenit 1 dhe 2 të ligjit nr. 10219. Bëjnë përjashtim nga ky rregull objektet informale me destinacion social-ekonomik apo që shfrytëzohen sipas këtij destinacioni dhe shtesat informale në objekte me leje. Përqindjet e përdorimit të bonove të privatizimit ndahen sipas vendndodhjes së objektit informal dhe sipas sipërfaqes së parcelës që kalon në pronësi të poseduesit të ndërtimit informal. Për objektet pa leje në zona informale (jashtë vijës kufizuese të ndërtimit) për sipërfaqe të parcelës nga 1-500 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70 për qind të vlerës me bono privatizimi. Për pjesën e sipërfaqes së parcelës mbi 500 m², e cila llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, ky rregull nuk aplikohet. Për objektet informale, të ngritura brenda vijës kufizuese të ndërtimit (vija e verdhë) për sipërfaqe të parcelës nga 1-300 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70 për qind të vlerës me bono privatizimi. Për parcela ndërtimore me sipërfaqe mbi 300 m², vlera e të cilave llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, pagesa mund të kryhet për deri 50 për qind të vlerës me bono privatizimi. Ligji parashikon përfitimin e lehtësive të parashikuara në të edhe për poseduesit e objekteve informale, që kanë kryer pagesa të mëparshme të parcelës ndërtimore të objektit.

Detyrimet që duhet të shlyhen

1. Tarifa e shërbimit për legalizim

2. Taksa e ndikimit në infrastrukturë

3. Vlera e legalizimit në bazë të objektit dhe vendndodhjes

Sipërfaqja që paguhet me bono

1. Për objektet pa leje në zona informale (jashtë vijës kufizuese të ndërtimit) për sipërfaqe të parcelës nga 1-500 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70% të vlerës me bono privatizimi.

2. Për pjesën e sipërfaqes së parcelës mbi 500 m², e cila llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, ky rregull nuk aplikohet.

3. Për objektet informale, të ngritura brenda vijës kufizuese të ndërtimit (vija e verdhë) për sipërfaqe të parcelës nga 1-300 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70% të vlerës me bono privatizimi.

4. Për parcela ndërtimore me sipërfaqe mbi 300 m², vlera e të cilave llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, pagesa mund të kryhet për deri 50% të vlerës me bono privatizimi.

Bëjnë përjashtim objektet informale me destinacion social-ekonomik apo që shfrytëzohen sipas këtij destinacioni dhe shtesat informale në objekte me leje.

Pagesat me bono, 3 muaj për rishqyrtim kërkese

Janë dhe mbi 90 për qind e qytetarëve të cilët megjithëse kanë bërë pagesën cash kanë bërë kërkesë për rimbursim në mënyrë që një pjesë të detyrimeve për legalizimin e ndërtesave të tyre ta paguajnë me bono privatizimi. Kështu sqaron kreu i ALUIZNI-t të Tiranës, Agim Berisha. Ligji i ri që ka hyrë në fuqi u jep mundësi qytetarëve që nëse dëshirojnë mund të shmangin pagesën me para në dorë duke aktivizuar bonot. Individët, të cilët kanë kryer pagesën e legalizimit në lekë kanë 3 muaj kohë, për të dorëzuar pranë ALUIZNI-t kërkesën për të përfituar nga pagesa me bono privatizimi. Në të qytetarët duhet të përcaktojnë saktë masën e pagesës që do të shlyhet me bono privatizimi dhe më pas agjencia do të shqyrtojë çdo rast për të bërë rimbursimin. Edhe ata që kanë ende një pjesë të mbetur parcele të palegalizuar, mund ta legalizojnë duke bërë pagesën në bono privatizimi, siç parashikon ligji. Ndërkohë që në qershor mbyllet afati për paraqitjen e kërkesave, duke qenë se është lënë në dispozicion periudha 3-mujore. Ndërkohë që pjesa tjetër e qytetarëve që janë ende në proces, nuk do të kenë nevojë tu drejtohen zyrave të ALUIZNI-t me një kërkesë të tillë.

Bonot, ka nisur rishpërndarja

Duke filluar nga 1 prilli të gjithë ata qytetarë që kanë depozituar bonot e privatizimit në kompanitë investuese deri në vitin 1998, kanë fituar të drejtën ti tërheqin ato në sportelet e Raiffeisen Bank. Tashmë, kjo bankë ku mësohet se janë depozituar pjesa më e madhe e këtyre bonove, ka përgatitur të gjithë infrastrukturën e nevojshme, si dhe dokumentet që duhet të kenë qytetarët për tërheqjen e tyre. Në plotësim të udhëzimit të dalë nga ministri i Financave, qytetarët duhet të kenë me vete një dokument identifikimi pasaportë ose kartë identiteti, si dhe dokumentin që kanë depozituar bonot. Duke pasur parasysh që ka kaluar një kohë e gjatë nga depozitimi i këtyre bonove dhe dokumenti i lëshuar nga kompania mund të ketë humbur, atëherë në sportel do të plotësohet një deklaratë personale. Në këtë deklaratë, të interesuarit do të saktësojnë shumën e bonove të depozituara dhe më pas do të mund ti tërheqin ato. Procesi i rishpërndarjes së bonove do të zgjasë 7 muaj, deri më 30 shtator. Ndërkohë, nga ana e tyre, bankat e nivelit të dytë do të raportojnë pas 30 shtatorit pranë Ministrisë së Financave për sasinë e bonove që janë shpërndarë dhe ato të mbetura.

Legalizimi i banesave, gati 5136 dosje për kryeqytetin

5136 qytetarë të njësive bashkiake numër 5, 6 dhe 7 mund të

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›