Dzananovic afër Ballkanit

Ballkani po tregohet mjaft aktiv në afatin kalimtar të janarit. Klubi therandas, pasi u përforcua në fazën ofanzive me Afrim Mziun dhe Mensur Idrizin, po mendon për repartin defanziv.
Dhe, objektiv i ri i ekipit Portokalli është bërë ish-futbollisti i Lirisë së Prizrenit, Ermin Dzananovic. Këtë e ka bërë të ditur trajneri i ri i Ballkanit, Zymer Elshani. “Jemi në kërkim të një mbrojtësi boshnjak, i cili në të kaluarën ka luajtur për Lirinë. Shpresojmë të përfundojë mirë”, ka thënë trajneri therandas.
23-vjeçari nga Zenica e Bosnjës e Hercegovinës, luan në pozitën e qendërmbrojtësit, por edhe si mesfushor defanziv. Përpos Lirisë, ku luajti sezonin e kaluar, ai ka luajtur edhe për skuadrat boshnjake, Çelik Zenica e Zvijezda, si dhe në atë kroate, Rovinj.
Pa largimit të trajnerit Skënder Shëngyli, Ballkani filloi të lëvizë. Përpos që mbajti pjesën dërrmuese të futbollistëve, duke përfshirë këtu edhe lojtarin kryesor, Fitim Krusha, klubi nga Theranda filloi të mendojë për përforcime, në mënyrë që ky klub pranverën ta kalojë i qetë.
Më parë, nga Ballkani ishin larguar Bujar Thaçi, Driton Luli, Fisnik Ramadani, Robert Gjeraj, Flamur Kukaj e Patrik Doçi. Madje, ky i fundit po ashtu mund të rikthehet, nëse nuk gjen angazhim në Kroaci. Therandasit e mbyllën sezonin vjeshtor në pozitën e parafundit të Raiffeisen Superligës, me 16 pikë të grumbulluara.