E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama i përgjigjet akuzave të opozitës: Të dyndin me shpifje dhe duan transparencë! Helmojnë një popull për të nxitur konflikt

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të hedhura nga opozita që nga udhëtimet e tij jashtë vendit e deri tek thirrjet për protesta për të rrëzuar qeverinë.

Rama shkruan se opozita e rublave është duke “dyndur një popull me shpifje” dhe më pas kërkon transparencë. Kjo për kryeministrin bëhet vetëm për të nxitur konflikt dhe kur flitet me shifra për të bërë transparencë nuk duan të kuptojnë.

Lidhur me akuzat se ka shpenzuar 22 milionë euro me udhëtimet e tij e charter, Rama thotë se qeveria ka “blerë orë fluturimi me marrëveshje promocionale, ndërsa për rritjen e kostos së jetës, Rama ironizon opozitën se “s’ka asnjë faj Putini, por duhet rrëzuar regjimi!”

“I Zot të qash a të qeshësh, vetëm këtu bën vaki të të dyndin me shpifje dhe të të thonë bëj transparencë! Po si bëhet kjo transparenca kur u tregon shifrat dhe bëjnë sikur nuk kuptojnë?! Po kur thonë pse i bën reklamë Shqipërisë? Po kujt t’i bëj, kanaleve, portaleve apo rublave?!

Jemi pyetur shumë herë këto vite për avionin ALBANIA dhe i kemi dhënë informacionet, po tani u bashkuan hakerat iranianë dhe grupi Rubla Çorba, kështu që u ngrit tymi lart se helbete, duhet hedhur sa më shumë blozë, “S’ka asnjë faj Putini, çohu o popull se duhet rrëzuar regjimi!”

Lëre pastaj kur thonë me charter udhëtojnë vetëm sheikët e diktatorët, ndërkohë që tërë qeveritë e rajonit, se Europës po e po, kanë avionët e tyre përjashto Shqipërinë e Kosovën! Ne s’e blejmë dot, me qera s’e marrim dot, ndaj kemi blerë orë fluturimi me marrëveshje promocionale!

Po ku është hilja thonë se s’ka mundësi?! Ka si s’ka! Hilja është ashiqare fare tek përpjekja non stop për ta helmuar, çoroditur, nxitur për sherr e për konflikt këtë popull me shpifje sa më të përbindshme, nisur nga gjysmë të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha!”, shkruan Rama në twitter.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›