Gatishmëria europiane për të mbrojtur monedhën e përbashkët euro
Është detyra jonë dhe do të bëjmë gjithçka që nevojitet. Është dashur kjo frazë e presidentit të Bankës Qëndrore Europiane, Mario Dragi, që të gjitha tregjet anembanë globit të shënonin lëvizje pozitive si për të gjetur akoma një rrugë shprese. Në të njëjtën kohë nuk kanë reaguar vetëm tregjet por edhe njerëzit e fuqishëm të politikës europiane. Presidenti francez, Hollande dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel kanë deklaruar se “janë të gatshëm për gjithçka” për të ruajtur monedhën e përbashkët euro. Pas një telefonate mes dy liderëve Franca dhe Gjermania janë “të vendsoura për të bërë gjithçka për të ruajtur zonën euro”. Këtë nënvizon një komunikatë e përbashkët pas komunikimit telefonik të zhvilluar mes dy liderëve. “Për këtë, shtetet anëtare, ashtu si edhe istitucionet europiane, duhet të marrin përgjegjësitë e tyre”. Dhe pas Dragit dhe komunikatës të përbashkët franko – gjermane përsëri tregjet kanë reaguar pozitivisht. Sidoqoftë problemet nuk duket se janë zgjidhur plotësisht. Ndërkaq Spanja ka diskutuar me Gjermaninë për një plan shpëtimi të përgjithshëm që do të shihte edhe përfshirjen e Troikës për 300 miliardë euro nëse taksat e rifinancimit të borxhit të saj do të qëndronin të papërmbajtshëm në këtë kohë. Por duket se kjo hipotezë e cila ka qarkulluar edhe në ditët e kaluara por që ka qenë e konfirmuar si nga agjensia Reuters dhe nga burime të Bashkimit Europian ka patur një lloj vërtetësie. Sidoqoftë “nuk do të ketë asnjë lloj shpëtimi, nuk është e parashikuar” – ka komentuar qeveria spanjolle për planin prej 300 miliardë euro për të cilin Spanja ka biseduar me Gjermaninë. Nga ana tjetër Banka Qëndrore Europiane është duke pregatitur një plan me shtetet e Bashkimit Europian për të kufizuar rritjen e taksës së interesit për Spanjën dhe Italinë. Këtë radhë është gazeta Le Monde e cila gjithsesi nuk citon burimet e saj. Në këtë rast Banka Qëndrore Europiane do të merrte pjesë në aksionet vetëm në rastin kur Qeveritë do të përdornin fondet e shpëtimit. Ndërkaq si zakonisht Bundesbank ka qenë e ftohtë për blerjen e titujve shtetërorë nga ana e Bankës Qëndrore Europiane. Banka qëndrore gjermane ka bërë të ditur se: “nuk ka ndryshuar mendim” – madje kanë shtuar se kjo “do të ishte problematike” dhe se kjo “nuk do të ishte mënyra më e mirë për t’u përballur me krizën”. Por Gjermania nga ana e saj gjithsesi “respekton pavarësinë e Bankës Qëndrore Europiane” – ka shtuar një zëdhënës i qeverisë gjermane, George Streiter, në një komunikim të tij me shtypin. Por ndërkaq Gjermania vazhdon që mos “të ndryshojë ide dhe kërkon që Greqia mos të dalë nga zona euro”. I pyetur mbi idenë e Mario Dragit për krijimin e një banke europiane e cila do të ishte e gatshme për të shpëtuar monedhën euro, Streiter ka rikujtuar se ky pozicion i Bankës Qëndrore Europiane përmbush tërësisht misionin e saj. Ndërkaq ministri i Financave të Gjermanisë, Wolfgang Shauble ka ritheksuar se qeveria gjermane nuk e ka ndërruar kursin e saj, pra në këtë mënyrë është kundra një leje bankare për të ardhmen e mekanizmit europian të stabilitetit. Fill pas këtij lajmi ka ardhur dhe përgënjeshtrimi. Shauble ka mirëpritur deklaratat e presidentit të Bankës Qëndrore Europiane, Mario Dragi dhe ministri ka shtuar se “shikon pozitivisht disponueshmërinë e Bqe për të ndërhyrë brenda kornizave të mandatit të Bankës Qëndrore Europiane”. Sidoqoftë fjalët e presidentit Mario Dragi duket se kanë sjellë sinjale shumë pozitive. “Banka Qendrore Europiane, duke ju përmbajtur mandatit të saj, është e gatshme të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të ruajtur euron. Dhe besomëni do të ishte e mjaftueshme”- kishte deklaruar Mario Dragi. Pastaj presidenti ka shkuar drejt Londrës ku në ambasadën italiane është takuar edhe me presidetin e Republikës italiane Xhorxho Napolitano. Sipas burimeve të presidencës italiane: “Janë takuar thuajse rastësisht pasi kishin folur në telefon dhe kishin mësuar se do të ishin të dy në Londër. Nuk ka qenë një bisedë e gjatë por gjithsesi kanë folur për problemet financiare dhe ekonomike të momentit”.