Një gjeneral playboy për të shpëtuar Sirinë?
Në Alepo, në Damask, në Homs, Hama e Latakia luftohet. Siria është në flakë. Ish- i dërguari i OKB në këtë vend thotë se presidenti Bashar Al Asad do bjerë shpejt.
Të premten në Alepo mijëra rebelë luftonin kundër tankeve të qeverisë. Departamenti i Shtetit druhet se do ketë një masakër të re, ndërsa shton se kjo është një përpjekje e një regjimi të dëshpëruar që mezi mbahet në këmbë, për të mbajtur nën kontroll metropolin ekonomik.
Gjeneralë, politikanë, diplomatë e ushtarë po dezertojnë. Të gjithë mendojnë të shpëtojnë jetën, por kush do e shpëtojë Sirinë?
Në fillim të korrikut dezertoi gjenerali Manaf Tlas, një nga njerëzit më të afërt të Asad, një playboy i fiksuar pas makinave të shpejta dhe cigareve kubane.
Të enjten ai u shfaq përkrah ministrit të Jashtëm turk. Biri i ish- ministrit të Mbrojtjes së Sirisë, ai është rritur me Bashar Al Asad, të dy bashkë kanë shkuar edhe në ushtri.
Mediat saudite thonë se ai ka një plan për të dalë nga kriza. Sipas tij, krahas rebelëve duhet të afrohen edhe dezertorët e regjimit.
Në disa media të tjera ka bërë thirrje për të ndërtuar një Siri të re, pa hakmarrje e monopole. Dukshëm ai kërkon që të luajë një rol të rëndësishëm.
Por a mundet ai të jetë njeriu që do ndërtojë një vend të ri?
Vetë është i fiksuar pas jetës së luksit, kurse babai i tij ka mbrojtur regjimin për 30 vite.
Një ekspert i Lindjes së Mesme thotë se gjithçka është e mundur. Në rastet kur anijen e braktisin të gjithë, ekziston mundësia që atë ta rrëmbejë dikush që nuk ta pret mendja.

