E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama i vendosur per taksen progresive

Çështjet ekonomike dhe ato të biznesit kanë mbledhur në një forum të përbashkwt përfaqësues të lartë të Partisë socialiste dhe qytetarë të thjeshtë. Gjatë këtij takimi, kryesocialisti Rama ripërsëriti vendosmërinë e forcës politikë që i drejton, për të vendosur taksën progressive në kohën kur vendi do të qeveriset nga Partia Socialiste. Sipas Ramës, bizneset e mëdha duhet të paguajnë më tepër taksa.

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama gjatë fjalës së tij në në forumin për ekonominë i konsideroi privatizimet e kompanisë Albpetrol dhe të hidrocentraleve si shitje të pasurisë kombëtare. Ai tha se modeli ekonomik i qeverisë po e çon vendin drejt rrënimit.

“Kryeministri ka nxjerrë në shitje çdo pasuri të këtij kombi për të shtuar ditët e tij në karrige. Shteti privatizon për të ndarë barrën e administrimit me një privat, por ajo që po ndodh me këto 4 hidrocentrale do të thotë të privatizosh vetëm fitimin, nga ky lloj privatizimi shqiptarët humbasin 20 milione dollarë, thellohet borxhi i shqiptarëve. Asnjë shtet nuk ka nxjerrë në privatizim të drejtën e vetë në emër të qytetarëve që përfaqëson. Shuma që kjo e drejtë përbën në një vit është 50 milione dollarë, pra ata që marrin Albpetrolin në fund të vitit fitojnë 50 milione dollarë”- deklaroi Rama, i cili ofroi edhe platformën e forcës politike që drejton.

“Ne kemi detyrimin të formësojmë një alternativë që nuk është shkuar në letër por që çlirohet nga gjithë ato shpirtra të ndrydhura sot. Ne duam të ndryshojmë jetën e njerëzve përmes një qeverie të partisë socialiste. Dëshpërimi nuk është aleat i ndryshimit, është detyra jonë t’i bëjmë njerëzit të shpresojnë”, tha kreu i PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›