E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama inspekton Lungomaren në Durrës: Zgjerohet në 100 metra zona ranore, ndër plazhet më të lakmuara të Mesdheut

TIRANË, 12 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama inspektoi sot Lungomaren e re të plazhit të vjetër në Durrës, një nga shëtitoret më të bukura që shtrihet nga ura e Dajlanit deri te godina e Kavalishencës.

Bashkë me kryetaren e bashkisë Durrës, Emiriana Sako dhe drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli, kryeministri Rama pa nga afër punimet që po kryhen përgjatë bregdetit, ku parashikohet zgjerimi i zonës ranore në 100 metra.

“Ky projekt do t’i japë edhe më shumë vlerë shtëpive, hoteleve, njësive të shërbimit, por së bashku me projektin tjetër të zgjerimit të zonës ranore në 100 metra, duke i marrë detit për t’ia dhënë Durrësit Turistik, do të bëjnë që ky plazh të jetë një nga më të lakmuarit e Mesdheut për turizmin popullor”, vlerësoi kryeministri.

Rama theksoi se i gjithë bregu do të fitojë një plazh shumë të gjerë.

“Për të gjithë frekuentuesit e plazhit të Durrësit dhe ata që prej vitesh ndjekin çfarë ndodh falë kryetares së bashkisë, Anit dhe me mbështetjen time dhe tonën dhe falë Fondit të Zhvillimit, plazhin do ta zgjerojmë duke marrë det 100 metra. Do të kemi një plazh të jashtëzakonshëm. E gjithë ajo ‘ngrënia’ që iu bë plazheve në katrahurën e tranzicionit do të mbetet histori. Në mes, bashkia do ketë pronën e vetë ku do të krijojë bashkë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe me Agjencinë Kombëtare të Investimeve një sistem pikash shërbimi të bukura siç janë në plazhet më prestigjioze të botës. Pika shërbimi dhe pika për fëmijë, të moshuar, në mënyrë që këtu të jetë një shpërthim i jetës turistike siç i takon Durrësit”, tha Rama.

Kryeministri kërkoi që shëtitorja, ku do të mbillen edhe 520 pemë, të mbarojë patjetër për sezonin turistik.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit theksoi se ky investim ka qenë me shumë rëndësi për biznesin.

“Do të fillojmë dhe pjesën e shëtitores nga pista te Sfinksi, si dhe hyrjen e Durrësit ku u ndryshua koncepti i hyrjes”, tha ajo.

Drejtori i FSHZH-së, Agolli u shpreh se projekti trajton me sistem termoizolim kapot edhe pjesën e fasadave të pallateve.

“Jemi në dy kantiere që janë të vendosura paralelisht. Njëra është vazhdimi i shëtitores e cila mbyll pjesën e shëtitores. Një pjesë e shëtitores bashkë me pjesën e aktiviteteve përgjatë shëtitores, gjelbërimin. Kontrata e dytë është kontrata e rehabilitimit të bregut. Këtu ka pasur një fenomen në vite të erozionit dhe praktikisht deti kishte ardhur deri afër pallateve dhe do mbushet rëra duke krijuar një hapësirë rreth 100 metër gjerësi e cila praktikisht ka për ta bërë një nga plazhet më të bukur në gjithë rajonin për shkak të gjerësisë së saj. Aktualisht jemi duke punuar për një projekt të tretë që është në një fazë konceptimi për të krijuar dhe njësi shërbimi turistike përgjatë gjithë kësaj vijës së re bregdetare që na është krijuar. Kjo kompleton gjithë ndërhyrjen në këtë zonë”, tha Agolli.

Kjo pjesë e bregut të Durrësit ka qenë shumë e amortizuar, ndërkohë që me përfundimin e ndërhyrjes, zona pritet të marrë një hov të ri zhvillimi.

1 nga 7

/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›