E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama inspekton Sharrën, mbeturinat përpunohen nuk digjen

Investimi
Në këtë landfill depozitohen rreth 1000 tonë mbetje në ditë

Kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, inspektoi dje, punën e kryer për zbatimin e  projektit për transformimin e Landfill-it të Sharrës. “Transformimi i kësaj fushe, e cila është nën kujdesin e të gjithë qytetarëve, si një nga pikat më problematike, më të vështira dhe më të dëmshme të kryeqytetit, në një landfill modern të përmasave bashkëkohore dhe ku mbeturinat trajtohen në mënyrë bashkëkohore, është shprehje e një transformimi tërësor të Tiranës, në funksion të cilësisë së jetës së qytetarëve”, tha kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama. Sipas tij, përpunimi dhe trajtimi i këtyre mbeturinave ka mbyllur një epokë të rëndë ndotjeje dhe pasojash nga më të dëmshmet, duke hapur një epokë të re, për të cilën ne do të vazhdojmë të punojmë intensivisht, duke shkuar drejt zhvillimit të mëtejshëm të këtij projekti shumë të madh dhe të rëndësishëm për kryeqytetin.
Në Sharrë depozitohen rreth 1000 tonë mbetje në ditë, të cilat trajtohen e përpunohen. Gjithçka kryhet sipas një procesi zinxhir, ku përfshihet mbledhja, transporti, ngjeshja, trajtimi, deri në destinacionin e tyre final që është mbulimi me një shtresë të caktuar dheu. I gjithë procesi është i kontrolluar nga specialistë të mjedisit, për të mos neglizhuar asnjë fazë të mbarëvajtjes së tij.Deri tani, në Landfill-in e Sharrës janë kryer katër komplete analizash periodike për cilësinë e ajrit të çliruar, nivelin dhe përbërjen e ujërave nëntokësore e mbitokësorë dhe një sërë elementësh të tjerë, me qëllim trajtimin e mbeturinave nëpërmjet një koncepti teknik të kontrolluar sanitar.
Reduktimi i efekteve të mbetjeve urbane në natyrë dhe në ambient, mundësia e rikuperimit të burimeve nga to, por edhe reduktimi i prodhimit të vetë mbjetjeve, mbeten sfidat që për specialistët dhe inxhinierët e mjedisit janë shtysat drejt zgjidhjeve të sigurta për shëndetin e qytetarëve dhe për ambjentin që na rrethon.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›