E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i ujit dyfish, banorët: Nuk do të paguajmë faturat

Ankohen për mungesën e furnizimit të rregullt, si dhe presion të ulët në rrjet
Dyfishimi i çmimit të ujit ka lënë të pakënaqur banorët kryeqytetas e sidomos, ata të cilët kanë vazhdimisht probleme me furnizimin e tij. Banorët e pjesës fundore të rrugës Sami Frashëri në Tiranë shprehen se ata që prej kohësh nuk jetojnë normalsiht në banesat e tyre. Mungesa e ujit i ka bërë mjaft nervozë këta qytetarë të cilë në jo pak raste i zënë derën drejtorisë së ujësjellësit të Tiranës, por pa mundur që të gjejnë një zgjidhje. Po kështu banorët e shumë prej pallateve të vjetra të zonës pranë liqenit artificial ankohen se presioni i ujit është shumë i ulët dhe ata konsumojnë shumë kohë duke mbushur të gjitha enët që kanë mundur të sigurojnë për ujin. Ankesat e tyre deri tani nuk kanë mundur që të sigurojnë zgjidhjen e shumëdëshiruar. Ndërkohë që vetë banorët pohojnë se do të refuzojnë të paguajnë faturat e ujit me çmim të dyfishuar. Thuajse në të njëjtin qëndrim janë edhe shumë banorë të zonës së Kamzës. Bashkia e Kamzës furnizohet me ujë nga ujësjellësi I Tiranës. Banorët thonë se uji u vjen vetëm dy orë gjatë gjithë ditë natës dhe kjo jo me ndonjë orar të përcaktuar. Sipas tyre familjarët që ndodhen në shtëpi rrinë duke përgjuar se kur vjen uji për të mbushur me nxitim enët. Edhe ata kanë protestuar disa herë duke kërkuar një furnizim normal me këtë product, që sikundër pohojnë edhe vetë e paguajë rrezullisht njësoj sikur të kishin furnizim 24 orësh. Aktualisht, banorët kryeqytetas por edhe bashkitë e komunat që përfshin rrethi i Tiranës në pjesën më të madhe të rasteve e paguajnë ujin jo sipas metrave kub të shpenzuar, por për frymë. Pagesa në këtë mënyrë bëhet për faktin se mungojnë matësat e sasisë së shpenzuar të ujit. Për rrjedhojë faturimi kryhet afrofe. Drejtues të ndërmarrjes së ujësjellës kanalizimeve të Tiranës kanë premtuar se “një nga investimet për vitin 2010 është vendosja e 20 mijë matësave, si dhe kompletimi tërësor me matësa për subjektet private dhe shtetërore”. Sipas tyre, qëllimi i këtij investimi është përmirësimi i shërbimit ndaj konsumatorit dhe rritja e nivelit të arkëtimeve. Por vendosja e 20 mijë matësave për të gjithë rrethin e Tiranës që numëron mbi një milion banorë, duket krejt e papërfillshme për një faturim të saktë mbi produktin e shpenzuar për të gjithë konsumatorët.
Propozimi i ndërmarrjes së ujësjellësit të Tiranës për dyfishimin e çmimit të ujit u përligj edhe me faktin se kryeqyteti e shet ujin më lirë se shumë qytete të tjera.
Më i shtrenjtë uji rezulton se shitet në qytetin e Pogradecit dhe të Delvinës. Në të dy këto bashki çmimi i ujit është 48 lekë për metër kub, në një mijë litra. Po kështu, edhe në Korçë çmimi i ujit është i shtrenjtë. çmimi i tij arrin në 47 lekë për metër kub ujë. Më pas vjen Lezha me 43 lekë për metër kub. Në qytetin e Fierit uji kushton 38 lekë për metër kub. Ndërsa në Kavajë banorët e paguajë këtë produkt me çmimin 35 lekë për metër kub. Edhe në Rubik uji paguhet me 30 lekë për metër kub.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›