Kandidimi në universitet, pyetjet dhe alternativat e testit
Matura
Maturantëve, të cilët i janë nënshtruar më parë provimit me zgjedhje, do t’u njihet rezultati i fituar, si dhe e drejta e ankimit
Marsel LELA
TIRANë – Krahasuar me dy vite më parë, rregullorja e Maturës Shtetërore ka pësuar disa ndryshime, gjë e cila sipas MASH-it, pritet ta bëjë më komod procesin e provimeve për maturantët.
Një nga ndryshimet e rregullores së re të Maturës Shtetërore është shtimi i lëndëve me zgjedhje, nga 9 lëndë që ishin vjet, në 12 të tilla sivjet. Në listën e lëndëve me zgjedhje maturantët do të mund të zgjedhin edhe lëndën e gjuhës italiane.
Pra, maturantët do të kenë në dispozicion tri lëndë të gjuhëve të huaja, nga 12 lëndët e mundshme me zgjedhje.
Gjuhët e huaja, të përfshira në listën e lëndëve me zgjedhje, do të jenë: gjuha angleze, gjuha frënge dhe gjuha italiane, por nxënësit do të kenë mundësi të zgjedhin vetëm njërën prej tyre si lëndë me zgjedhje.
Sipas Agjencisë së Vlerësimit të Aftësive, rregullorja e re e Maturës Shtetërore do të jetë në favor të nxënësve në provimet e lëndëve me zgjedhje, për arsye se maturantëve, të cilët i janë nënshtruar më parë provimit me zgjedhje, do t’u njihet rezultati i fituar.
Gjithashtu, rregullorja e re do t’u njohë maturantëve edhe një tjetër të drejtë që nuk parashikohej në rregulloren e mëparshme.
Bëhet fjalë për njohjen e të drejtës së ankimit, falë së cilës maturantët do të kenë katër ditë në dispozicion për të bërë dorëzimin e kërkesës së rivlerësimit të provimit, kundrejt një pagese. Lidhur me provimet e detyruara, atë të Matematikës dhe të Letërsisë, nuk do të ketë ndryshime. Procedurat e zhvillimit në këto dy provime do të jenë njëlloj si një vit më parë, çdo test do të ketë 25 pyetje, nga të cilat 13 me alternativa dhe 12 me zhvillim. Gjithashtu, ndryshime do të ketë edhe në kategoritë e studentëve që nuk do t’u nënshtrohen provimeve me zgjedhje.
Ndryshe nga vitet e tjera, rregullorja e re e Maturës Shtetërore parashikon që nxënësit që duan të vazhdojnë studimet në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve në Tiranë, Gjirokastër dhe Shkodër, mund të konkurrojnë pa qenë të detyruar të japin provimet e lëndëve me zgjedhje.
Gjithashtu, nxënësit që në vitet 2005-2006, 2006-2007 dhe 2007-2008 apo 2009 i kanë dhënë provimet me zgjedhje, por nuk janë regjistruar në asnjë shkollë të lartë, nuk janë të detyruar t’i japin sërish, vetëm nëse dëshirojnë vetë.
Ndërsa nxënësit që në vitet 2005-2006, 2006-2007 dhe 2007-2008 i kanë dhënë provimet e detyruara dhe jo ato me zgjedhje, për t’u regjistruar në njërën nga degët e shkollës së lartë këtë vit janë të detyruar t’i japin këto provime.
Regjistrimi
Procedurat edhe për ata që e kanë mbaruar shkollën e mesme para këtij viti
TIRANë - Dokumenti i ri i rregullores që është miratuar një vit më parë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, përfshin edhe ndryshime të tjera përsa i përket regjistrimit të maturantëve që e kryejnë këtë vit shkollën e mesme, si dhe atyre personave që e kanë kryer vite më parë. Rregullorja e re e Maturës Shtetërore parashikon që të gjithë personat, të cilët kanë kryer shkollat e mesme para vitit shkollor 2005-2006, kanë marrë dëftesë pjekurie dhe dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta, do t’u nënshtrohen dy provimeve me zgjedhje.
Përsa i përket regjistrimit për provimet me zgjedhje, ai do të bëhet në shkollat ku këta persona kanë kryer shkollën e mesme, pranë Komisionit të Maturës Shtetërore, apo Zyrës Arsimore ku ka figuruar shkolla, në të cilën këta të fundit kanë kryer studimet, nëse shkolla e mesme apo profili i shkollës së mesme që kanë kryer është mbyllur. Rregullorja e re parashikon gjithashtu, që çdo nxënës, i cili ka mbaruar shkollën e mesme para vitit shkollor 2005-2006, por nuk ka marrë dëftesën e pjekurisë, është i detyruar t’i japë provimet e detyruara dhe me zgjedhje. Sipas rregullores, “të gjithë nxënësit që në vitet shkollore 2005-2006, 2006-2007 dhe 2007-2008 kanë vetëm provimet e detyruara, por jo provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore, për t’u regjistruar në degët e institucioneve të arsimit të lartë publik, këtë vit duhet të japin provimet me zgjedhje, pranë shkollave të mesme ku kanë dhënë provimet e detyruara. Për këtë ata duhet të bëjnë kërkesë pranë KMSH-ve të DAR/ZA-ve përkatëse, duke paraqitur dëftesën e pjekurisë origjinale”. Gjithashtu, në këtë dokument parashikohet që të gjithë nxënësit, të cilët në vitet shkollore 2005-2006, 2006-2007 dhe 2007-2008 i kanë dhënë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë regjistruar në asnjë nga degët e institucioneve të arsimit të kartë publik, rezultatet e arritura nga nxënësi në provimet me zgjedhje në një vit shkollor ruhen.
Pra, ato konsiderohen të vlefshme edhe në vitet në vazhdim, si dhe në rastin kur nxënësi ka marrë vlerësim kalues vetëm në njërin nga provimet me zgjedhje, përveç rasteve kur nxënësi kërkon ta rijapë lëndën.
Nëse nxënësi kërkon t’i ruhet rezultati i mëparshëm në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë, për këtë lëndë merret koeficienti që lënda ka pasur në vitin që është dhënë.
Gjithashtu, parashikohet që, në rast se nxënësi e ka dhënë më shumë se njëherë një lëndë të caktuar në provimet me zgjedhje dhe kërkon t’i njihet rezultati i saj, do t’i njihet rezultati i arritur në vitin e fundit kur e ka dhënë lëndën.