Rama ka frikë, “përdhosi” procesin dhe do të mbrojë mandatet me vota të vjedhura

PS tërhiqet nga kërkesa për rivotim në Lezhë - reagon Oerd Bylykbashi, përfaqësuesi ligjor i PD
Partia Socialiste vendos të tërhiqet nga kërkesa e saj për rivotim në qarkun e Lezhës. Në një deklaratë për mediat nga selia e PS-së, Sekretari për Çështjet Zgjedhore, Damian Gjiknuri deklaroi se ky vendim i socialistëve është marrë në interes të vendit, për t’i hapur rrugë certifikimit të zgjedhjeve. Por Partia Demokratike ka reaguar pas tërheqjes nga PS nga kërkesa e saj për rivotim në Qarkun e Lezhës. Nëpërmjet një deklarate për media, Oerd Bylykbashi përfaqësuesi ligjor i PD-së e ka cilësuar vendimin e selisë rozë ‘përdhosje të procesit zgjedhor në qarkun e Lezhës”. “Pasi u vërtetua ne dritën e diellit se Partia Socialiste i kishte grabitur një mandat Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës, nëpërmjet vjedhjes së votave, Edi Rama u tërhoq sot nga kërkesa për rivotim në këtë qark. Akti i sotëm është një tjetër dëshmi e kompleksimit të Ramës nga kapja në flagrancë e votave të vjedhura të 23 qershorit. Tërheqja e tij fakton më së miri se ai i trembet përballjes me vullnetin real të zgjedhësve në qarkun e Lezhës të paintimiduar nga paratë dhe presionet e krimit dhe trafikut”. Sipas, Oerd Bylykbashit përfaqësuesi ligjor i PD, Edi Rama duhet tu kërkojë ndjesë qytetarëve të qarkut të Lezhës dhe mbarë qytetarëve shqiptarë që u tjetërsoi vullnetin. “Edi Rama duhet të kërkojë ndjesë dhe të dënojë kërcënimet banditeske që iu bënë përfaqësuesit ligjor të PD-së në KQZ për të cilat nuk u distancua asnjëherë duke faktuar se është bërë një me falangat që projektuan këtë akt të pashoq. Edi Rama duhet tu kërkojë ndjesë shqiptarëve që u përdhosi procesin zgjedhor dhe diskreditoi para botës mbarë procesin dhe vetë Shqipërinë e shqiptarët”, theksoi. Deputeti i PD, Bylykbashi vuri në dukje se tërheqja nga rivotimi në Qarkun e Lezhës që pason tërheqjen nga kërkesa për pavlefshmërinë e rinumërimit të votave në Qarkun Shkodër, “dëshmoi se kryesocialisti Rama është i gatshëm të bëjë gjithçka për të mbrojtur mandatet e siguruara me vota të vjedhura dhe paratë e krimit më 23 qershor. Kjo tërheqje dëshmon qartë mungesen e sinqeritetit, keqbesimin dhe keqdashjen e Edi Ramës, kur për 2 vjet kërkoi transparencë pa asnjë provë, me qëllimin e vetëm bllokimin e integrimit evropian të Shqipërisë. Sot, kur vjedhja ka dalë në dritë, ai nxiton ta mbulojë atë me pretendimin absurd se po vepron në interes të vendit. Sot është e qartë për çdo shqiptar e vërteta e hidhur mbi të cilën u ndërtua mazhoranca e mashtrimit dhe e votave të vjedhura”. Në fund të deklaratës Oerd Bylykbashi përfaqësuesi ligjor i PD nënvizoi se Partia Demokratike mbetet e vendosur si kurrë më parë të ndjekë deri në fund dhe përkundër çdo presioni anti-institucional rrugën e transparencës së plotë të asaj çka ndodhi më 23 qershor në Lezhë, Shkodër e kudo tjetër. “Ky është një detyrim madhor ndaj lirisë, dinjitetit dhe votës së lirë të çdo qytetari shqiptar”, përfundoi ai.