Rama këmbëngul: Është koha për ndërhyrje serioze në Kushtetutë. Imuniteti, vetëm pikënisje
Kryetari i PS tha se nuk ka asnjë opozitë që ka bërë më shumë për statusin kandidat se kjo opozitë. Rama tha se nuk është problemi vetëm tek miratimi i ligjeve, siç pretendon Berisha, por kryesisht tek implementimi i tyre. Rama tha se është qesharake të akuzohet opozita se po pengon luftën ndaj korrupsionit, kurse Berisha të bëjë sikur nuk ka asgjë në dorë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mbrojti sërish qëndrimin se është e nevojshme të ndërhyhet në Kushtetutë jo vetëm për çështjen e imunitetit. Rama pranoi se është arritur një marrëveshje për draftin e imunitetit, duke u shprehur se demokratët kanë ardhur në variantin e tyre.
Ne besojmë se ndërhyrja në Kushtetutë nuk duhet të kufizohet vetëm tek çështja e imunitetit. Nuk ka gjë më qesharake kur kryeministri bën sikur thërret në ndihmë opozitën për të shembur murin e korrupsionit duke hequr imunitetit. Atë mur po e lartëson korrupsioni i pushtetit që po shkatërron drejtësinë. Ky mur do shembet nga vota e shqiptarëve qershorin e ardhshëm, tha Rama.
Nuk ka tallje më të madhe se Saliu që thotë se nuk ka asgjë në dorë kundër korrupsionit, se ai është një copë kryeministër, dhe po nuk deshi opozita të heqë imunitetin, nuk luftohet korrupsioni. Loja e fajësimit të opozitës është e vetmja rrugë e mbetur për kryeministrin. Çdo ditë duhet fajësuar opozita, vijoi kreu i PS.
Edi Rama tha se vendi është në krizë ekonomike. Ai tha se bankat e huaja nuk po blejnë më bonot e qeverisë. Pabesia ndaj publikut me Lotarinë Kombëtare është shprehja e skajshme e degradimit të qeverisjes, tha Rama.
Kreu i PS deklaroi se të gjithë e kanë parë se si kanë përfunduar gjyqet ndaj ministrave pa imunitet.
Të gjithë shqiptarët e dinë se si kanë përfunduar në komedi gjyqet ndaj ministrave të zhveshur nga imuniteti. Ndaj është koha për një ndërhyrje serioze në Kushtetutë. Imuniteti është vetëm një pikënisje dhe jo një pikëmbërritje. Sot Kushtetuta e Republikës ka nevojë për një rishikim në funksion të një reforme në drejtësi. Prandaj kemi paraqitur një vizion për ndryshimet në Kushtetutë. Kundërshtarët na thonë se ne duam të bllokojmë statusin e kandidatit për në BE. Nuk besoj se ndonjë opozitë ka bërë më shumë për statusin evropian të vendit se Partia Socialiste, theksoi Rama.
Madje kryetari i PS në njëfarë mënyre pranoi se reformën zgjedhore e kanë miratuar me shpejtësi për të hapur mundësitë që vendi të marrë statusin e kandidatit për në BE.
Rrezikuam edhe marrëdhëniet me aleatët tanë politikë për një reformë që nuk preku çështjen e sistemit. Ne e bëmë këtë duke thënë se është një domosdoshmëri për marrjen e statusit në vjeshtë, tha Rama.
Rama preku edhe atë që në fakt është problemi kryesor. Ai tha se mazhoranca kujton se përparimi drejt BE bëhet vetëm duke miratuar ligje, ndërkohë që nuk flet për implementimin e ligjeve, që është pjesa më e rëndësishme.
Rama deklaroi se pas marrjes së pushtetit vitin tjetër, do bëjnë transparencën e ligjeve të miratuara për të vjedhur.
Sot problemi i Shqipërisë nuk janë sipërmarrësit që janë zgjedhur deputetë, por kryeministri e ministri që janë bërë milionerë.
Pas fitores në zgjedhje qershorin e ardhshëm do bëjmë transparencën e ligjeve të miratuara vetëm për të vjedhur. Në shtatë vjet këta që qeverisin Shqipërinë kanë vjedhur më shumë se çfarë është vjedhur në 100 vjet të shtetit shqiptar, tha Rama.
Kurse relatori i PS për heqjen e imunitetit, Pandeli Majko, vlerësoi punën e bërë për arritjen e konsensusit, por shtoi se duhet të ketë diskutime të gjera për ndryshimet e tjera kushtetuese.
