E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD dhe PS bien dakord mbi draftin për kufizimin e imunitetit

Demokratët dhe socialistët duket se kanë rënë dakord për një draft të përbashkët për heqjen e imunitetit. E vetmja pengesë për miratimin e tij në Kuvend me 6 gusht duket se do jetë kërkesa e Partisë Socialiste për të miratuar heqjen e imunitetit së bashku me të tjera ndryshime kushtetuese, që do të garantojnë reformën në drejtësi. Palët duken ekstremisht larg njëra- tjetrës në lidhje me votimin e ndryshimeve kushtetuese, pasi PD kërkon vetëm votimin për heqjen e imunitetit dhe shprehet në mënyrë kategorike kundër ndryshimeve të tjera.

Por çfarë parashikon drafti i përbashkët i PD dhe PS në lidhje me imunitetin?

Duket se arritja më e rëndësishme ka qenë marrëveshja për pikën që parashikon se deputeti nuk mund të arrestohet ose ti hiqet liria në çfarëdo lloj forme, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal apo i banesës pa autorizim të Kuvendit.

Në raste të tilla vendimi pritet të merret me votim të hapur, kurse diskutimi në Këshillin e Mandateve bëhet me dyer të mbyllura.

Palët kanë rënë dakord mesa duket që shpifja të mos imunizohet. Kështu, deputetët do të jenë të mbrojtur për atë që thonë në Kuvend, përveç rasteve kur shpifin. Kjo do hapë në njëfarë mënyre dyert që gjithçka që thuhet në Kuvend të quhet shpifje. Nuk dihet pse opozita ka mbajtur këtë qëndrim, kur ekspertët e EURALIUS ishin të zjarrtë në mbrojtje të deputetëve, për të mos u proceduar për shpifje. Kjo do garantonte sipas tyre lirinë e të shprehurit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›