E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama kërkon front për rrëzimin e Berishës

Lideri i Partisë Socialiste Edi Rama po punon për të bërë koalicionin më të gjerë në bazë të disa parimeve dhe mbi të gjitha me objektivin e qartë, realizimin e rrotacionit politik dhe nxjerrjen e Sali Berishës në pension politik.

Kreu i PS-së i ka bërë thirrje Frymës së Re Demokratike të çlirohet nga kompleksi se bashkimi me të majtët do të quhet “tradhti”, ndërkohë që ka vënë para dy zgjedhjeve LSI-në, duke i bërë ftesë të largohet nga aleanca me PD-në.

“FRD duhet të çlirohet nga kompleksi se bashkimi në frontin opozitar mund të shihet si tradhti. Baraz largimi ndihmon regjimin! LSI duhet të zgjedhë: Patericë e regjimit apo krah opozitar! Duke zgjedhur opozitën do bënte edhe një akt vullneti të mirë për t'u ndare nga hija e një te shkuare te palavdishme ne pushtet. ”, vlerësoi Rama.

Duke uruar një vit të mbarë, kreu i opozitës teksa ka kthyer përgjigjen e pyetjes së parë ka nënvizuar si prioritet të parë të PS-së për këtë vit, largimin e qeverisë me votë mbarëpopullore.

“Jam këtu. Vit të mbarë të gjithëve. Fillojmë. Jemi përballë një regjimi. Duhet një front opozitar pa paragjykime. Prioriteti i parë është largimi i regjimit me votë mbarëpopullore”, ka shkruar në Twitter Rama.

Duke iu përgjigjur ndjekësve të tij në Twitter, sesi do të realizohet shmangia e përsëritjes së skanarit të vjedhjes së votave lideri i së majtës, sqaroi se “sa më shumë njerëz të dalin në votim aq më pak shanse do ketë për manupilim”", u shpreh Rama teksa theksoi nevojën e realizimit të një koalicioni të gjerë nga e majta në të djathtë për rotacion, duke lenë hapur shtegun e bashkëpunimit me çdo forcë politike.

“Sot ndarja s'është majtas djathtas po regjim opozite! Opozita duhet të bëjë front të gjerë nga e majta në të djathte për rotacion”, theksoi Rama./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›