E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndanë tokë për fabrikë pa procedura

Pal Lekaj kishte ndaluar një projekt në emër të mungesës së lejes komunale, por vetë ka filluar një tjetër duke e injoruar krejtësisht nivelin qendror. Madje në inaugurimin e këtij projekti shkon kishte marrur pjesë edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Lekaj madje ishte i obliguar të merr leje edhe prej Ministrisë së Tregtisë, projektin e së cilës e kishte ndalur projektin.
Komuna e Gjakovës ka ndarë pronë për hapjen e një fabrike pa procedura transparente, pa e caktuar kohën e shfrytëzimit dhe pa pyetur nivelin qendror. Gurthemeli është vënë kurse komuna ende nuk ka kontratë me kompaninë. “TCG Green Energy”, e cila parasheh të bëjë riciklimin e mbeturinave përmes kësaj fabrike dhe prodhimin e energjisë elektrik e termike, nuk ka ende as lejet ambientale prej Ministrisë së Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, shkruan gazeta Jeta në Kosovë.
Gjakova kishte bllokuar më 7 dhjetor të 2012-ës inaugurimin e “Qendrës Inovative”, një projekt i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për mbështetje të zhvillimit në këtë qytet, me arsyetimin se nuk kishte marrë leje prej komunës.

Por kjo komunë, në krye me Pal Lekajn, ka organizuar inaugurimin e një fabrike në më pak se dy javë që atëherë, më 19 dhjetor, pa leje prej të paktën katër institucioneve të nivelit qendror - të obliguara me ligj.

Në vënien e gur-themelit pati marrë pjesë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Megjithatë, një seri problemesh ligjore në lidhje me fillimin e punës së fabrikës dalin në shesh, ka zbuluar Gazeta Jeta në Kosovë, që kur marrëveshja ishte nënshkruar mes kryetarit Pal Lekaj dhe afaristit Vegim Krasniqi më 5 qershor 2012.

Marrëveshja kërkonte fillimin e zbatimit të saj brenda dy javëve, por vetëm më 12 dhjetor komuna i kishte ndarë kompanisë “TCG Green Energy” -- përmes votimit në asamblenë komunale -- sipërfaqen prej tre hektarësh të pronës komunale.

Vendimi, megjithatë, nuk ishte nxjerrë konform ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Kompensim të Pronës Komunale, për së paku një pjesë të parcelave të ndara.

Për këtë, më 27 dhjetor, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviq, i shkruan drejtuesve gjakovarë. Ai kërkon që komuna ta rishqyrtojë vendimin brenda 30 ditësh.

“Vendimi për dhënien në shfrytëzim të një parcele me sipërfaqe prej 0.78.23 hektarë, pronë e Komunës së Gjakovës, për realizimin e projektit të riciklimit të mbeturinave dhe prodhimit të energjisë termike dhe elektrike, e planifikuar të realizohet sipas projektit të kompanisë TCG Green Energy- Zyra në Prishtinë, nuk është miratuar konform nenit 5 të Ligjit nr. 03/ L-226 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, për faktin se vendimi nuk e ka përcaktuar afatin e dhënies se pronës komunale në shfrytëzim”, thuhet në letrën e nënshkruar nga Petroviqi.

Sipas ministrit, po ashtu, në përgjithësi procedurat kanë qenë jo transparente./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›