Rama krereve te PS-se Pa hetim sdo lejojme mbajtjen e zgjedhjeve

Transparenca e 28 qershorit përcakton strategjinë e veprimit politik të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 8 majit 2011. E nisur si një kauzë parimore me të cilën opozita kërkoi ballafaqimin e shumicës qeverisëse me të vërtetën e zgjedhjeve të fundit parlamentare, gradualisht kërkesa e pamiratuar për hetim, po kushtëzon sjelljen politike të selisë rozë. Për më shumë kjo linjë po gjen rrugën e vet edhe në strukturimin e saj si skemë veprimi për të gjithë ngrehinën e PS-së në Shqipëri. Në një takim të mbyllur të zhvilluar ditën e diel, me kryetarët e degëve, kreu socialist, Edi Rama, ka shpalosur atë që mund të konsiderohet si përgatitje për çdo skenar, e cila parasheh që tani si të mundshëm qoftë angazhimin serioz për zhvillimin e zgjedhjeve ashtu edhe mospjesëmarrjen në to. Burime nga mbledhja e së dielës bëjnë të ditur se kryetari socialist ka qenë i drejtpërdrejtë teksa ka nënvizuar për drejtuesit e degëve se “nëse kutitë e materialeve nuk hapen, apo nuk lejohet hetimi i zgjedhjeve të shkuara, ne jo vetëm nuk do të marrim pjesë në zgjedhje, por as do të lejojmë zhvillimin e tyre”. Një qëndrim i bërë prezent në një mbledhje e cila ka qenë konfidenciale dhe me dyer të mbyllura, çka e sjell atë nën okelion e një linje veprimi ende jozyrtare apo jo publike. Po kështu, burime nga ekipi drejtues i selisë rozë konfirmojnë zhvillimin e mbledhjes në frymën e përgatitjeve për 8 majin, i cili i është nënrenditur së fundmi klimës së tanishme politike në vend. Strategjia e veprimit elektoral të opozitës vjen në këtë mënyrë e aktualizuar me dy drejtime; qoftë në përshtatje me versionin legal të zhvillimit të ngjarjeve që parashikon zgjedhje normale dhe garë të hapur, qoftë në funksion të interesit ekskluziv të saj, i cenuar rëndë nga zhvillimet e dy viteve të fundit. Me rëndësi është zbërthimi apo kuptimi i mjeteve që disponon Partia Socialiste apo edhe aleatët e saj në atë që mund të quhet praktikisht një bllokim i procesit të ardhshëm zgjedhor, jo përmes bojkotit, por edhe moslejimit të zhvillimit të tij. Nëse të dhënat për këtë nuk bëhen të njohura, një variant është shqyrtimi i mundësive që ofron zotërimi prej opozitës i një pjese të rëndësishme të pushtetit; që është ai vendor. Tagri ligjor i këtij të fundit në procesin përgatitor për zgjedhjet, me listat dhe administrimin e mjediseve të nevojshme për vendet e numërimit të votave, janë pjesë e asaj vendimmarrjeje që është thelbësore për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Por me rëndësi të theksohet është edhe e drejta e PS për të marrë pjesë në komisionet e administrimit zgjedhor, të cilat mundet të funksionojnë vetëm me përfaqësim të plotësuar. Ka një sërë procesesh teknike, të cilat në vetvete formalizohen përmes konsensusit pozitë – opozitë dhe që si të tilla marrin peshë specifike politike. Pa supozuar një bojkot apo mosparaqitje kandidaturash që gjithsesi mbetet një veprim ekstrem dhe në çfarëdo lloj pikëpamjeje i paargumentueshëm. Por si dëshmi e seriozitetit të PS-së dhe kryetarit të saj për adaptimin e këtij skenari vlen edhe precedenti i krijuar me zgjedhjet e 18 shkurtit 2007, ku asokohe opozita diktoi shtyrjen në kohë të procesit dhe kërkesën e saj për sa u përket certifikatave. Një qëndresë që detyroi madje negociata të vështira në Presidencë dhe që gjithsesi, sipas PS vlejti si siguri ligjore dhe politike për zgjedhjet. Ndërkohë, opsioni është përmendur edhe në një formë të hapur artikulimi politik nga ana e përfaqësueseve të lartë socialistë, të cilët jo pak herë janë shprehur se “nuk ka bojkot, por nuk mund të ketë zgjedhje pa transparencë”. Ky qëndrim i pasqaruar mirë në zbatimin praktik të tij, duket se gjen një shpjegim vetëm te “neutralizimi” i një procesi zgjedhor të ri, i cili me pjesëmarrjen e opozitës do të delegjitimonte përfundimisht kauzën e saj për transparencë, e cila do të ishte një humbje kapitale politike.