E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria e Pergjithshme Trafiku i organeve Ska asnje baze vertetesie

Deklarata Nesturi: Nuk ka pasur kërkesë nga autoritetet ndërkombëtare për hetim

Prokuroria e Përgjithshme Shqiptare nuk ka pasur asnjë dijeni për ekzistencën e trafikut të organeve që u merreshin ushtarëve serbë. Ajo nuk është njoftuar për klinikën në të ashtuquajturën “Shtëpia e verdhë” në Burrel, ndërsa asnjë institucion ndërkombëtar nuk ka paraqitur kërkesë për hetim. Këshilltari për mediat në zyrën e akuzës qendrore, Plator Nesturi, në një deklaratë për mediat, tha dje se projektrezoluta e ish-prokurorit të Zvicrës, Dik Martit, është një çështje e ezauruar dhe pa asnjë bazë vërtetësie. Në vazhdim të komunikimit me median, Nesturi tha se kjo çështje është hetuar në vitin 2004 me një grup të Prokurorisë së Hagës dhe në bashkëpunim me prokurorë shqiptarë.

Akuza të vjetra

Reagimeve të shumta për trafikun e supozuar të organeve i është shtuar dje edhe zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, e cila ka thyer heshtjen, duke deklaruar zyrtarisht se informacionet e servirura nga disa individë në vende dhe kohë të ndryshme nuk kanë asnjë element të veprës penale. Personi i autorizuar për të folur me mediat ka qenë këshilltari i kryeprokurores Ina Rama, i cili deklaroi se deklaratat e zotit Marti janë të vjetra dhe pa baza vërtetësie. Ai tha se akuza qendrore është njohur me përmbajtjen e projektrezolutës së Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, që vjen si rezultat i raportit të përpiluar nga anëtari i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, ish-prokurori Dik Marti. “Pas shqyrtimit të detajeve të shprehura në të, Prokuroria e Përgjithshme deklaron se akuzat për trafik të organeve brenda territorit të Republikës së Shqipërisë të ushtarëve serbë të zënë rob gjatë luftës në Kosovë janë tashmë të vjetra, të ezauruara dhe pa asnjë bazë vërtetësie”, deklaroi Nesturi, duke shtuar se deklarimeve të ish-prokurores Karla del Ponte në librin e saj për një bazë në fshatrat e Burrelit, ku pretendohej se kryhej heqja e organeve të ushtarëve serbë për qëllime tregtimi, i ka paraprirë në vitin 2004 një verifikim i një grupi të Prokurorisë së Hagës në bashkëpunim me prokurorë shqiptarë, që ka marrë në evidencë këto të dhëna në shtëpinë e supozuar si bazë për këtë qëllim. “Në bazë të verifikimit të përbashkët të ekspertëve të Hagës dhe atyre shqiptarë, nuk ka rezultuar se të dhënat e parashtruara të kenë ndonjë bazë vërtetësie, ndaj Prokuroria e Shqipërisë nuk ka gjetur bazë për nisjen e çështjes penale”, vijoi njoftimi i akuzës qendrore.

S’kemi dijeni

Këshilltari për mediat në Prokurorinë e Përgjithshme tha se pretendimet e paraqitura së fundmi në raportin e anëtarit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Dik Marti, mbi ekzistencën e bazave të tilla, ku presupozohet se janë kryer transplante, si në Fushë-Krujë a diku gjetkë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, janë të dhëna për të cilat Prokuroria e Shqipërisë nuk ka pasur asnjë dijeni dhe për të cilat nuk është njoftuar apo paraqitur kërkesë për hetim nga asnjë organ hetimor ndërkombëtar.

“Prokuroria e Shqipërisë, e cila gëzon besimin e organeve hetimore ndërkombëtare, besim që është forcuar nga profesionalizmi i treguar dhe shkalla e gjerë e bashkëpunimit me to, e deklaron të pabazë çdo insinuatë se institucionet shqiptare janë bërë pengesë për hetimin e kësaj çështjeje”, përfundoi Nesturi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›