Fushata per Bashkine e Himares nis ne Athine
Një takim vetëm me mbështetës të besuar të PBDNJ-së dhe OMONIA-s, me rreth 80 emigrantë nga Himara dhe Dhërmiu, ka zhvilluar kryetari i kësaj partie Vangjel Dule dhe kryebashkiaku kryeomonist i Himarës, Vasil Bollano, në sallën e Unionit të Gazetarëve të Greqisë ditën e diel. Takimi është zhvilluar në kryeqytetin grek, me praninë edhe të deputetit ultranacionalist të “Laos”-it Plevris, si dhe ish-kryetarit të “vorioepiriotëve” dhe kandidat për deputet, Babis Karathanos.
Takimi, sipas zërave të mbështetësve të afërt të Bollanos, ka qenë sipari i një turi të saponisur fushate për bashkinë e Bregut të Detit, nga dy krerët e minoritetit, Dule e Bollano. Ai është mbështetur, përmes fjalës së deputetit ultranacionalist i “Laos”-t, si dhe nga kryetari i shoqatës “Himara” Alfred Beleri, person i shpallur “non grata” në Shqipëri për shkak të pjesëmarrjes në aktin terrorist të prillit të vitit 1994 në masakrën e Peshkëpisë në Gjirokastër.
Mësohet se kryetari i PBDNJ-së zoti Dule është larguar nga takimi fill pas disa replikave mes disa të pranishmëve dhe kryetarit të bashkisë, Bollano, kur ky i fundit ka nisur të mbajë një fjalim për çështjen e regjistrimit të pasurive në minoritet. Bollano shtoi se “do të fillojë regjistrimi i pasurisë, madje do të hapet edhe një zyrë nga QE OASA që do të merret me këtë proces”. Ndërkohë që për çudinë e disa pjesëmarrësve në takim, shtoi se në krye të kësaj zyre do të vendoset Marko Daflla, të cilin vetë Bollano e paska hequr vite më parë nga zyra e kadastrës. Madje shtoi se “do të paraqesë edhe një formular me 14 pika për regjistrimin e pasurisë”. Në këtë moment, një himarjot i pranishëm ka ndërhyrë duke u shprehur pro ligjit 7501, por ka qenë kryebashkiaku Bollano që e ka ndërprerë, duke pasuar shkëmbimin e disa replikave. Në fjalën e tij, Bollano është shprehur edhe për regjistrimin e popullsisë në zonën e minoritetit. Pas takimit të zhvilluar në sallën e Unionit të Gazetarëve grekë, nga emigrantë himarjotë dhe të shtatë fshatrave të Bregut mësohet se ka pasur shumë pakënaqësi për konfidencialitetin e takimit. Zërat pohojnë se mes emigrantëve himarjotë nisja e takimeve të tilla të Bollanos, lexohen si afishim i dëshirës së tij për rikandidim. Mirëpo, mes emigrantëve të kësaj zone ka shumë zëra që janë kundër, madje shprehen me nervozizëm për politikat selektive që kryebashkiaku i Himarës po ndjek për çështje të pronësisë në bregdet.